Flash News

Ditari i Maxhorancës

Mbetjet dhe dixhitalizimi i shërbimeve, Rama: S'kalojmë asnjë buxhet që nuk garanton financimin e pastrimit. Mbyllim sportelet

Mbetjet dhe dixhitalizimi i shërbimeve, Rama: S'kalojmë

Në prezantimin që i bëri projektbuxhetit të vitit 2022, kryeministri Edi Rama u ndal te fondet për pastrimin. Ai i ka riparalajmëruar kryebashkiakët se nuk do të kalojë asnjë buxhet që nuk përfshin fondet për pastrimin e qyteteve.

Rama përsëriti edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës se pastrimi i territorit do të ketë një vëmendje të shtuar dhe buxhet specifik gjatë këtij mandati. Kujtojmë që kryeministri ka lëshuar kritika të ashpëra në drejtim të kryebashkiakëve sa i përket pastrimit, duke i "kërcënuar" me sanksione.

“Pastërtia e vendit është një aspekt tjetër. Do të hyjmë me një buxhet specifik në funksion të një ndryshimi thelbësor të qasjes ndaj territorit sa i përket pastërtisë. Pushteti vendor duhet të marrë mesazhin se pastërtia në gjithë perimetrin e bashkive është një kriter i patjetërsueshëm i përcaktimit të masës së mbështetjes së mëtejshme të pushtetit vendor.

Do të marrim masa të natyrës financiare dhe drastike për ata që nuk arrijnë të performojnë. Nuk do kalojmë asnjë buxhet bashkiak që nuk do të ketë të garantuar financimin e pastrimit”, tha kryeministri.

Ky i fundit foli dhe për shërbimet e administratës. Rama u shpreh se do të mbyllen sportelet dhe shërbimet do të kalojnë online. Sipas tij, kjo nismë shmang ryshfetin dhe korrupsionin, si dhe radhët e gjata. Dixhitalizimi nuk përfshin shërbimet që kërkojnë prezencën fizike të qytetarëve.

“Ajo çka ne do të garantojmë në vijim, dhe është ambicia e këtij mandati, është të sigurohet jo vetëm mbyllja e sporteleve që ofrojnë shërbime me rradha dhe kontakte të drejtëpërdrejta me punonjësit e administratës ku futet dhe ryshfeti e vonesa, por të garantojmë që qytetari të bëjë kërkesën dhe i gjithë dokumentacioni mbështetës për të marrë një certifikatë, të garantohet brenda sistemit të digjitalizimit të shtetit”, deklaroi Rama.

 

 

Të fundit