Flash News

Ditari i Maxhorancës

Strategjia Ekonomi-Çuçi: A po i shmanget Rama një 'lufte të hapur' me Presidentin Meta?!

Strategjia Ekonomi-Çuçi: A po i shmanget Rama një 'lufte
Foto Ilustruese/ Meta, Rama, Çuçi dhe Ekonomi

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbush ‘boshllëqet’ në qeveri pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, me vrasjen Klodian Rashës nga efektivi i policisë.

Emri i ri i lajmëruar nga Rama si pasues i Lleshajt është ministri i Buqësisë, Bledi Çuçi. Ky rotacion mes posteve ministrore, i propozuar nga kryeministri Rama (ende në pritje të dekretit të Presidentit) do të pasohej nga një tjetër zgjedhje, Milva Ekonomi si ministre e Bujqësisë.

Mirëpo, ndryshe nga paraardhësi i tij Sandër Lleshaj, i cili kishte eksperiencë në fushën e sigurisë, Këshilltar i Kryeministrit për 5 vite kur mori detyrën e Ministrit të Brendshëm pas largimit të Fatmir Xhafës, Çuçi nuk e ka një formim të tillë.

E njëjta gjë vlen edhe për Ekonomin në Bujqësi. Të dy ministrat, persona të besuar të kreut të qeverisë, megjithëse nuk kanë lidhje me dy fushat ku pritet të shërbejnë (Sigurinë dhe Bujqësinë) gjatë muajve të fundit të qeverisë Rama 2, janë personazhe më pak kontrovers dhe jo irritues në sytë e publikut, çka është e leverdisshme pak para 25 prillit.

Nga përzgjedhja e kryeministrit Rama, na bën të kuptojmë se strategjia e tij si kryesocialist pak muaj para zgjedhjeve është që të fitoi vëmendjen dhe mbështetjen e publikut, si dhe ti kursej vetes një ‘luftë të hapur’ me presidentin Meta për dekretimin e ministrit të ri të Brendshëm.

Kujtojmë se, Rama dhe Meta kanë pasur një përplasje më herët përsa i përket dekretimit të Ministrit të Jashtëm pas shkarkimit të Ditmir Bushatit. Në këtë perjudhë dy institucionet më të rëndësishme të vendit, Kryeministria e Presidenca, nuk pajtoheshin në propozimin e bërë nga Rama për përzgjedhjen e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.

Kush është Bledi Çuçi?

Bledi Çuçi, i propozuar nga Kryeministri si ministri i ri i Punëve të Brendshme, deri më tani ka qenë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej janarit 2019.  Ai ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.

Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama.

Prej tetorit të vitit 2016, z. Çuçi është i deleguari politik i PS për qarkun Gjirokastër; prej janarit 2018 shërben si Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe anëtar i Kryesisë së PS, ndërsa në korrik 2018, u zgjodh anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, duke kryesuar listën e anëtarëve të Kuvendit që përfaqësojnë qarkun Gjirokastër për PS.

Kush është Milva Ekonomi?

Milva Ekonomi, e cila pritet të jetë ministrja e re e Bujqësisë në vend, ka lindur më 3 dhjetor 1962. Ajo është diplomuar për Financё Kontabilitet në Universitetin e "Aleksandёr Xhuvani" në Elbasan.

Ajo punoi si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave të Shqipërisë gjatë periudhës 1994-2005 duke kryer një sërë detyrash që lidheshin me ngritjen dhe institucionalizimin e statistikave zyrtare në vend. Pas një shkëputje për një pejudhë kohe drejt Kosovës, Ekonomi u kthye me postin e zv. ministres së Shëndetësisë pas fitores së të majtëve në 2013-ën.

Më pas në 2016 ajo mori postin e ministres së re të Ekonomisë, post nga i cili më pas u shkarkua.

 

Të fundit