Flash News

Ditari i Maxhorancës

Lufta në Ukrainë/ Rama tregon skenarin më të keq: Të përgatitemi për shkurtime dramatike të furnizimit me energji dhe naftë!

Lufta në Ukrainë/ Rama tregon skenarin më të keq: Të

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot qytetarët që të përgatiten për skenarin më të keq. Ai foli për pasojat e luftës në ekonominë e vendit dhe për thellimin e mëtejshëm të krizës energjitike.

Rama u shpreh se rritja e çmimit të naftës nuk është në dorë të qeverisë, ndërsa tha se zhvillimet që mund të marrë lufta janë të panjohura, sikurse pandemia.

Sipas tij, skenari më i vështirë që e pret vendin janë shkurtimet dramatike të furnizimeve me energji apo me naftë. Sa i përket komitetit të posaçëm që do të merret me pasojat e luftës, Rama tha se kanë nisur diskutimet.

“Çmimi i naftës nuk varet nga qeveria. Nuk është qeveria në tregun e lirë, në ekonominë e tregut që ul çmime apo ngre çmime të mallrave të konsumit, është tregu dhe natyrisht që tregu është shumë i ndjeshëm. Europa ka hyrë në luftë, ushtarakisht lufta zhvillohet mes një agresori dhe një vendi nën agresion, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera, ku aspekti ekonomik është themelor, lufta zhvillohet mes të gjitha vendeve që refuzojnë agresionin dhe agresorin.

Kjo do të thotë që të jemi të vetëdijshëm që në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra që kërkonim para fillimit të luftës dhe se duhet të përgatitemi për çdo skenar. Askush nuk e di sa do zgjasë kjo luftë. Që do të thotë jemi në të njëjtat kushte të panjohurës si me pandeminë, kur nuk e dinim kohëzgjatjen, zhvillimet dhe dinamikën e tyre dhe kur u përgatitëm për disa skenarë.

E njëjta gjë është sot. Përgatitemi për të njëjtin skenar. Kemi vendosur të ngremë komitetin special. Dhe jemi ulur që në ditën e parë të kësaj katastrofe për të përgatitur skenarët. Skenari më i vështirë është që duhet të përgatitemi psikologjikisht për situata shkurtimesh dramatike të furnizimeve me energji apo me naftë. Të jemi shumë të qartë se kjo mund të vijë. Zëvendësimi i burimeve që prej kaq shumë vitesh janë burime që janë siguruar nga Rusia është jashtëzakonisht të komplikuar”, tha Rama.

 

Të fundit