Flash News

Ditari i Maxhorancës

Pse heshtin gratë e PS kur fyhet një grua në politikë?

Pse heshtin gratë e PS kur fyhet një grua në politikë?

Deklarata denigruese mbrëmë në Kuvend e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi, hapi një tjetër diskutim që shkon përtej retorikës së zakonshme politikem, reagimin e grave në politikë kur një grua fyhet publikisht, madje edhe në foltoren e parlamentit.

Shprehja e përdorur nga Balla, referimi ndaj numrit “0900”, u interpretua si një denigrim ndaj deputetes Vokshi, duke shkaktuar përplasje të forta në sallën e Kuvendit. Por ajo që bie në sy nuk është vetëm incidenti në vetvete, por mungesa e reagimit nga gratë e mazhorancës.

Mbrëmjen pas incidentit, në emisionin Top Story, deputetja socialiste Sara Mila mbajti një qëndrim që mund të konsiderohet më shumë shpjegues sesa kritik ndaj kolegut të saj. Ajo tha se ndjehej keq nëse kolegia Vokshi ishte ndjerë e ofenduar, por njëkohësisht theksoi se i besonte shpjegimit dhe ndjesës së Ballës.

Ky reagim ngre pyetjen se a duhet solidariteti mes grave në politikë të jetë mbi përkatësinë partiake?

Në teori, politika shqiptare shpesh flet për fuqizimin e grave dhe për rritjen e përfaqësimit të tyre. Por në praktikë, kur një grua është fyer publikisht, reagimi duket se filtrohet përmes logjikës së kampit politik.

Pra, në vend të një qëndrimi konkret kundër gjuhës denigruese ndaj grave, si duket shprehet keqardhje personale, por njëkohësisht ruhet mbrojtja politike për kolegun e partisë.

Kështu, depuetutja e re e PS pranon se Kuvendi është kthyer në një arenë të ashpër dhe shpesh jo miqësore për gratë, por nga ana tjetër, kur ndodhin episode konkrete fyese, reagimi mbetet i vakët.

"Dua t’i besoj Ballës për shpjegimin që tha dhe kërkoi tre herë ndjesë. Ideja është e tillë, ai Kuvend është kthyer në një arenë shumë të keqe për gratë dhe vajzat", tha ajo në Top Story. 

Ngjarja në Kuvend tregoi edhe një herë se debati politik në Shqipëri shpesh kalon kufijtë e etikës. Por përtej përplasjes mes palëve, ajo që mbetet për t’u parë është nëse gratë në politikë do të jenë të gatshme të mbajnë të njëjtin standard reagimi, pavarësisht përkatësisë partiake.

Të fundit