Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama konfirmon se do të strehojë afganë: SHBA-ja na e kërkoi dhe nuk i themi jo, Shqipëria nuk ua përplas derën në fytyrë hallexhinjve

Rama konfirmon se do të strehojë afganë: SHBA-ja na e kërkoi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e krijuar në Afganistan, duke konfirmuar se Shqipëria është në bisedime me SHBA-të për strehimin e afganëve të lidhur me Amerikën, që u rrezikohet jeta nga talebanët. 

Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, ku thekson rolin e Shqipërisë për të mbrojtur hebrenjtë dhe iranianët, Rama thotë se SHBA-ja i ka kërkuar vendit tonë që të shërbejë si vend tranzit.

Kryeministri bën me dije se i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese. Ai thotë se nuk pranoi vetëm sepse ia kërkoi Amerika, por sepse nuk mund t'ju kthesh "kurrizin hallexhinjve të huaj", siç i quan Rama.

Këtu merr si shembull edhe ndihmën që iu është dhënë emigrantëve shëiptarë dikur. Ai thotë se ka mikpritur dy kërkesa prej institucioneve shoqërore në SHBA për të strehuar përkohësisht qindra intelektualë afganë.

"Eshtë e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara.

Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria! Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje.

Ne nuk jemi të pasur, por s'jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t'u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj.

Kjo është arsyeja morale pse ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, ne kemi mikpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit", shkruan ndër të tjera Rama.

Sa i përket kritikëve dhe atyre që nuk janë dakord me këtë vendim të qeverisë shqiptare, Rama thotë se Shqipëria "nuk është e salltanetit të atyre që hidhen për të në flakën e ndezur nga egërsia dhe padija e kinse patriotizmit, por është e amanetit shekullor të mikpritjes së të panjohurve në rrezik".

Kujtojmë që situata në Afganistan është e tensionuar, pasi talebanët brenda disa ditësh arritën të merrnin qytetet më të rëndiësishme dhe i janë afruar kryeqytetit, Kabulit.

Kjo ka vënë në lëvizje SHBA-në dhe shtetet europiane që të tërheqin menjëherë diplomatët, por dhe afganët që kanë bashkëpunuar me to kundër talebanëve, që janë kryesosht ntelektuale.

Të fundit