Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama për krizën: Çmenduri totale, çmimi i energjisë parashikohet të shkojë 1000 euro për MWh

Rama për krizën: Çmenduri totale, çmimi i energjisë

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për krizën energjitike, këtë herë përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai thotë se Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet, ndërsa shton se niveli i reshjeve vijon të jetë i ulët për të tretin vit radhazi.

Rama thekson se për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet “çmendurisht”, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht. Ai paralajmëron se çmimi mund të shkojë në 1000 euro për megavat/ orë.

Rama shton se çmimi i energjisë mbetet i pandryshuar për familjarët dhe biznesin e vogël, duke nënvizuar se kostua shtesë mbulohet nga buxheti i shtetit.

“Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet. Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë! Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike.

Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht! Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë”, shkruan ndër të tjera Rama.

Një ditë më parë, Rama tha se duhet të përgatitemi për skenarin më të vështirë, që sipas tij, janë shkurtimet dramatike të furnizimeve me energji. Ai tha se lufta në Ukrainë mund të sjellë të papritura, duke theksuar se kriza energjitike pritet të thellohet.

Kryeministri tha se qeveria nuk mund të bëjë asgjë përballë rritjes së paprecedentë të çmimit të energjisë dhe karburanteve, duke u justifikuar se e njëjta gjë po ndodh edhe në vendet e tjera.

Të fundit