Flash News

Ditari i Maxhorancës

“Na lanë trashëgim malin e borxheve”/ Mes përmbytjeve, Rama mbron qeverinë dhe fajëson opozitën

“Na lanë trashëgim malin e borxheve”/ Mes

Kryeministri Edi Rama ka vijuar mbrojtjen e qeverisë së tij për menaxhimin e situatës së përmbytjeve, duke renditur masa që sipas tij janë marrë nga institucionet shtetërore, ndërsa vendi përballet me dëme të shumta dhe qindra familje të prekura.

Në fjalën e tij, Rama deklaroi se janë vënë në punë 12 hidrovorë që sipas tij kishin reshtur së funksionuari prej vitesh, duke fajësuar opozitën asokohe në pushtet për borxhe dhe situata të trashëguara nga përmbytjet.

Rama siguroi se edhe familjet e dëmtuara nga përmbytjet e fundit do të dëmshpërblehen, duke premtuar se çdo detyrim do të shlyhet.

“Kanë përforcuar argjinaturat që binin në 4 anët në furtunën e parë, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin reshtur së punuari prej vitesh. Investimi më i madh është rinovimi  i trupave të emergjencës, ushtrisë, policisë, energjisë, bujqësisë. Kur ne erdhën në qeveri, me malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e shiut, ishte dhe një pjesë nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. I shlyem dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, por kem përballuar me dinjitet jo vetëm detyrimet me përmbytjet, dhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta.

Sot dua t’i siguroj dhe të dëmtuarit e kësaj here se do të shlyejmë me të njëjtin dinjitet çdo detyrim ndaj tyre. Puna intensive dhe mobilizimi i pa ndaluar 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjitha strukturave do të vazhdojë e pandërprerë deri në përforcimin e kësaj situate. Dua tju them të gjithë deputetëve të pranishëm në këtë mbledhje që të jenë të angazhuar edhe sot edhe nesër edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit”, tha Rama.

Të fundit