Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Timonieri i integrimit", Rama pritet me polifoni labe dhe nënshkruan memorandumin e Kuçit: Fitojmë 74 deri në 78 mandate

"Timonieri i integrimit", Rama pritet me polifoni labe dhe

Kryeministri Edi Rama ka qenë pasditen e kësaj të shtune në Kuç të Vlorës në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, ku u prit me këngë polifonike dhe iso labe.

"Dora e Edit ka kurdisë, sahatin e përparimit, kryetari i qeverisë, timonieri i integrimit. Punët me themel i zuri nga sektori në sektor koordinon Damian Gjiknuri kapiten i Qarkut Vlorë. Me projekte nëpër duar Shqipëria po zhvillohet, prilli me lule ngarkuar, e ardhmja rikonfirmohet" ishte një pjesë e tekstit të këngës labe e cila iu këndua kreut të qeverisë. 

Gjatë bisedës me banorët e zonës, Rama iu premtoi atyre se shumë shpejt Kuçi do të bëhet si Toskana e Italisë.

“Unë them këtë gjë, kjo zonë, brenda kësaj dekade do të jetë një destinacion si Toskana në Itali, do të vijë dynjaja këtu për zjarrin, këngët, rakinë, këtë ajër fantastik dhe do të kënaqet. Projekti i sheshit, me pak financim do të rregullohen këto godinat. Nuk vjen njeri këtu turist. Gjatë rrugës janë disa nga ata kapanonet e ushtrisë të rrënuara, ata duhen futur në programin e turizmit që kemi bërë në Valbonë dhe të bëhen si hane, me disa dhoma, me kuaj, me ushqim”, tha Rama.

Gjithashtu kryesocialisti bëri dhe parashikimet mbi zgjedhjet e 25 prillit për çdo qark dhe e quajti këtë “Memorandumi i Kuçit”.

 

"Ne do marrim 74 deri në 78. Pastaj po bëri ky ndonjë tërmet të madh shkojmë edhe 80. Kukës 1, Dibër 3, Shkodër 4, Lezhë 3. Tirana 19, Elbasan 8, Korçë, 6, Berat, 5, Fier, 10, Vlorë, 9, Gjirokastër, 3, 79, u bëtë të gjithë si Luli. Tani, unë iu thash 74, deri në 78, tani. Këta zotërinj që ta dish ti, këtu, në zonën poshtë penalltitë i gjuajmë ne, ndonjë penallti është në shtyllë, rezultati final 74 deri 78. Votat tek numri 12. Noteri është Damian Gjiknuri. Damian firmose. Mos e firmos nëpër lule që të thonë nuk ka firmosur. Memorandumi I Kuvendit Zakonor Kuç" tha Rama.

Pasi e firmosi memorandumin në një mbulesë tavoline Rama e lexoi para banorëve duke i kërkuar atyre të mos grumbullohen.

“Tani ju jeni mbledhur këtu. Ne jemi kundër grumbullimeve. Nuk ju shpërndajmë dot me polici se na hapni ndonjë luftë tjetër. Tani do ju lexoj memorandum. Damiani është noteri i memorandumit. Aneks/ PS fiton nga 74 deri në 78. Votoni nr 12. Firmosur nga Edi Rama. Noterizuar nga noteri i tërmeteve. Kur të vijmë ta inaugurojmë sheshin e Kuçit këtu do ta lexojmë prapë”, u shpreh kryeministri.

Të fundit