Flash News

Ditari i Maxhorancës

U arrestua në Maqëllarë për blerje votash, reagon PS: Xholi nuk është pjesë e strukturave tona. Ka lidhje krushqërie me kandidatin e LSI

U arrestua në Maqëllarë për blerje votash, reagon PS: Xholi

Partia Socialiste deklaron se i arrestuari Denis Xholi në Dibër për blerje votash nuk ka lidhje me këtë forcë politike. Në një deklaratë publike, PS e Dibrës sqaron se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.

Kujtojmë që dje në Dibër militantë dhe drejtues të PD ndaluan një makinë me dy të rinj, ku u gjetën para. Nga PD thanë se të rinjtë blinin vota për PS.

Reagimi PS Dibër:

PS e Dibrës mbështet pa asnjë rezervë hetimin dhe zbardhjen deri në fund të rastit të djeshëm, ku një turmë e orkestruar njerëzish ndaluan një makinë me pretendimin se kishin kapur një votëblerës socialist. Për ne çdo individ që përfshihet apo kryen një krim elektoral nuk ka ngjyrë, po meriton vetëm ndëshkim.

Por pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.

Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim.

 

Të fundit