Flash News

Ditari i Opozitës

A do të shkojë në Kuvendin e Berishës? Si përgjigjet Alibeaj, flet për zgjedhjen e Presidentit të ri

A do të shkojë në Kuvendin e Berishës? Si përgjigjet

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka tentuar të nënvlerësojë rëndësinë e Kuvendit të thirrur nga ish-kryetari Sali Berisha.

Sipas tij, PD e ka platformën e bashkimit, duke nënvizuar se duhet të pranohet nga të gjithë. Në këtë mënyrë ai la të nënkuptohet se nuk do të marrë pjesë, teksa gazetarët e pyetën nëse do të shkojë në mbledhjen e Kuvendit.

“Ne kemi nxjerrë platformën e parimeve të bashkimit. Është në fuqi, ajo do të jetë në fuqi gjatë gjithë kohës. Është diskutuar gjerë e gjatë, në mbledhje të gjata, diskutime dhe takime me deputetët. Është shprehur qëndrimi i tyre. Pati një refuzim, të gjithë e dini”, tha Alibeaj në një deklaratë para Kuvendit.

Ky i fundit foli edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke theksuar se është një test politik për të gjitha palët. Alibeaj tha se konsultimet do të zhvillohen fillimisht brenda grupit parlamentar demokrat dhe më pas me palët e tjera.

Duke theksuar seriozitetin e këtij procesi, Alibeaj shtoi se Presidenti i ri duhet të jetë një njeri i ekuilibrave, që ka treguar se përballet me dinjitet testeve politike.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të PD është bërë i qartë me konsultim me deputetët, me mendje të hapur. Do të jetë pjesë e diskutimeve të grupit kjo çështje dhe duke pasur synim të gjithë ne një profil politik që të jetë për shqiptarët.

Është detyrimi ynë politik ta marrim këtë përgjegjësi. Është një test politik për të gjitha palët të marrin pjesë në proces. Konsultimet do të ndodhin, së pari mes nesh, brenda grupit parlamentar. Unë them këtë gjë.

Mazhoranca, sot që flasim, ka treguar qartë që edhe formalisht me numra kjo mazhorancë nuk vendos e vetme.

Duhet të jetë një njeri që mos të ketë në të shkuarën e vetë, por të jetë një njeri i ekuilibrave, që ka treguar se përballet me dinjitet testeve politike. Procesi i zgjedhjes së presidentit të republikës të jetë serioz, që mos të ngutemi”, tha Alibeaj.

 

Të fundit