Flash News

Ditari i Opozitës

Afati i Celibashit skadon në mesnatë, ç'ndodh nëse Basha nuk firmos dokumentin e kërkuar nga KQZ

Afati i Celibashit skadon në mesnatë, ç'ndodh nëse

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve refuzoi në mbledhjen e 9 marsit kërkesën e kreut të PD, Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit si subjekt zgjedhor me emrin Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kërkesa e tij u cilësua nga komisioneri i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, se nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.

Ndërkohë sot, Berisha e ankimoi këtë vendim në KAS ku i ka kërkuar ndryshimin e vendimit duke vendosur “regjistrimin e PD të të përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Nga ana tjetër, Celibashi, dy ditë më parë vendosi edhe një afat prej 48 orësh për Lulzim Bashën që të firmoste si kryetar partie deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për tu regjistruar në zgjedhje, afati i cili skadon sot.

Por, për palën Alibeaj, Lulzim Basha ka ikur dhe ai nuk rikthehet. Një ditë më parë Enkelejd Alibeaj mblodhi grupin parlamentar të PD që njihet prej tij.

Në përfundimit të mbledhjes, Alibeaj tha se do të vijonte me procedurat e mëtejshme për regjistrimin e PD-së në zgjedhje dhe se do të dorëzohej sqarimi përkatës për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bashkë me ankimin. Ai theksoi se Basha është i dorëhequr dhe se të gjitha dokumentet e dorëzuara nga Partia Demokratike janë në përputhje me legjislacionin.

“E kemi bërë të qartë dje. Dorëheqja e Bashës është fakt publik s’ka ngelur njeri i madh apo i vogël që s’është në dijeni. Sqarimin përkatës ne do ta dërgojmë pranë KQZ, kështu që nuk ka asgjë për  t’u diskutuar apo të paqartë. Kjo është një çështje e zgjidhur”, tha Alibeaj.

A rrezikon PD të mos hyjë në zgjedhje?

I pyetur nga gazetarët, Celibashi la të kuptohej se PD rrezikon të mos hyjë në zgjedhjet e 14 majit në rast se Basha nuk firmos dokumentin e kërkuar pas skadimit të afatit.

Megjithatë, ai shtoi se vendimi pritet të merret pas mbarimit të afatit prej 48 orësh, konkretisht mesnatën e së shtunës.

“Vendimmarrjen do ta marr pasi të kalojnë 48 orë. Vendimarrja e KQZ e çfarë ndodh është në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Ajo u imponua nga rrethanat, nga procedurat që duhet të kryejë një komision. Nuk është rasti i parë që nuk bëhen në mbledhje publike. Janë bërë një pjesë, një pjesë jo”, tha Celibashi.  

Deklarata solemne përmban angazhimet mbi zbatimin e ligjit dhe, sipas tij, ky duhet të nënshkruhet nga kryetari i partisë, në këtë rast nga zoti Lulzim Basha dhe jo nga i deleguari i tij, Alibeaj.

Basha ia ka deleguar funksionet drejtuese të partisë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar kongrese për të zotëruar përfaqësimin e partisë, dokumente të cilat tani janë kthyer nga Gjykata e Apelit për rigjykim në shkallën e parë.   

Basha ende kryetar pas dorëheqjes

Deklarata e 21 marsit të një viti më parë nga Lulzim Basha, i cili asokohe njoftoi se jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, duket qartë se nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një gënjeshtër.

Kjo pasi, një vit pasi hoqi dorë si kryetar i PD, Basha rezulton të jetë ende ligjërisht në drejtim të kësaj force politike.

Një dokument i datës 1 mars 2023 tregon se Basha ka kërkuar një vërtetim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në të cilin konfirmohet se ai vazhdon të mbetet kryetar i PD.

Dokumenti është i firmosur nga Besa Korbeci, sekretarja e Regjistrit të Partive Politike, në Gjykatën e Tiranës. Në vendim theksohet se ai është lëshuar me kërkesë të palës së interesuar, e cila nuk bëhet publike, ndërsa në 3 mars u zhvillua seanca për vulën e PD në Gjykatën e Apelit.   

Të fundit