Flash News

Ditari i Opozitës

Akuzat e Metës, Bardhi: Keqardhje që nga Presidenti dalin fletë-rrufe dhe akuza baltë mbi Bashën

Akuzat e Metës, Bardhi: Keqardhje që nga Presidenti dalin

Presidenti Ilir Meta akuzoi një ditë më parë se kreu i PD-së Lulzim Basha në bashkëpunim me PS-në, bojkotoi zgjedhjet e 13 tetorit.

Në një intervistë për ABC Neës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi iu përgjigj deklaratës së Metës. Bardhi i mohoi akuzat e presidentit për bojkotin, teksa shtoi se PD-ja nuk i njohu zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ishte komisioni i KQZ-së ai që refuzoi të hapte procedurën.

Bardhi shprehu ‘keqardhje’ që presidenti i Republikës së Shqipërisë, hedh baltë dhe shpifje mbi kreun e opozitës.

“Së pari, kjo është një e pavërtetë e madhe, sepse ju e dini që zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën, nuk u njohën nga Partia Demokratike dhe i gjithë koalicioni opozitar, por ndërkohë komisioni qendror i zgjedhjeve refuzoi të hapte procedurën për regjistrimin e kandidatëve dhe partive politike në zgjedhjet e tetorit. Dhe është e pamundur për një parti politike serioze, që të regjistrohet në bulevard, sepse për të marrë pjesë në zgjedhje duhet të paraqitet një kërkesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ju e mbani mend që katër anëtarët e Edi Ramës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, refuzuan të njihnin Dekretin e Presidentit të Republikës e për pasojë të hapnin procedurën për regjistrimin në zgjedhjet vendore të dekretuara në përputhje me Kushtetutën nga Presidenti në tetor të vitit 2019 dhe në këtë mënyrë ishte e pamundur për ne që të regjistroheshim në një proces që ishte i pahapur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prandaj kjo është një e pavërtetë e madhe sikundër të gjitha të pavërtetat që për fat te keq kanë dalë gjatë këtyre ditëve nga zyra e Presidentit të Republikës. Dua të shpreh keqardhjen, e kam thënë dhe më parë, për mua institucioni i Presidentit të Republikës, është institucioni që përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk mundet kurrsesi që nga zyra e Presidentit të Republikës apo nga institucioni i Presidentit të Republikës, të dalin fletë-rrufe, shpifje apo akuza baltë drejtuar kryetarit të opozitës, kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha”, tha Bardhi.

Të fundit