Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha flet për protestat: Do jenë të fuqishme, Edi Rama i ka kohërat e numëruara

Berisha flet për protestat: Do jenë të fuqishme, Edi Rama i ka

Kreu i PD Sali Berisha paralajmëroi protesta të fuqishme popullore gjatë vjeshtës në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Gjatë një prononcimi për mediat në oborrin e Kuvendit, Berisha tha se shqiptarët do të arrijnë ti japin përgjigjen e merituar kësaj maxhorance.

“Parlamenti është kujdesur në maksimum për triumfin e krimit në ekonominë shqiptare. Ligji për amnistinë fiskale për të cilin flet me të madhe Edi Rama dhe që do ta kalojë.

Ligji për dhunimin e medias, ishte në rend dite, paketa e mediave.

Ligji tjetër për drogë, legalizimin e kanabisit. Ka një kujdesje të veçantë që të sanksionohet me ligj ekonomia e krimit në Shqipëri apo krimi të kapë ekonominë shqiptare.

Mendoj se në tërësi, parlamentit dhe qeverisë në këtë stinë e cila lajmëron më shumë se çdo gjë tjetër, protesta të fuqishme popullore”, tha Berisha.

Ai tha se për këtë aksion  ka një front opozitar që do të mblidhet dhe do të miratojë një axhendë.

“Padiskutim që koordinimet do të bëhen. Ka një front opozitar që do të mblidhet. Do të mblidhet ‘Fonti për Shpëtimin e Shqipërisë’ dhe do të miratojë një axhendë që ka si synim një protestë të qëndrueshme popullore në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Sipas tij, kryeministri Rama i ka kohërat e numëruara, do të përgjigjet para ligjit për çdo vjedhje.

“Largimi i kësaj maxhorance është shpëtimi i Shqipërisë. Ka një armik të egër sot për çdo shqiptar, dhe ky armik është Edi Rama, në të gjitha rrafshet. Se cila ishte dhe është PD-ja ju patët rastin ta shifni dhe do të keni rastin ta shifni. Sot vendi ka një opozitë më të fuqishme se ndonjëherë dhe Edi Rama në një farë mënyrë i ka kohërat e numëruar. Ishte në Beograd, dëshmoi se Shqipërinë e do serbisht. Atje do të shkojë, nëse lejohet.

E vërteta është se ai do të japë llogari për të gjitha vjedhjet monstruoze që ka bërë para ligjit shqiptar dhe ato vepra penale, nuk bëjnë vite por shumë dekada dënim për Edi Ramën.

Opozita është në betejë me Edi Ramën. Kryetarja e Kuvendit është thjeshtë një instrument në duart e tij. Çdo gjë është e përcaktuar nga njeriu që vendosi monizmin absolut në Shqipëri dhe që duhet të ikë sa më shpejt dhe sa më parë, në mënyrë që Shqipëria të vendosë sistemin demokratik pluralist”, tha kryedemokrati.

 

 

Të fundit