Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha për inceneratorët: Rama i dha bonus kompanisë që nuk ekzistonte, qytetarët të ngrihen

Berisha për inceneratorët: Rama i dha bonus kompanisë që nuk

Kryedemokrati Sali Berisha doli në një deklaratë, ku hodhi akuza se Edi Rama është “koka” e të ashtëquajturës aferë e inceneratorëve.

Referuar denoncimit të bërë një ditë më parë nga Partia e Lirisë, ai tha se po faktohet që fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Berisha deklaroi se Rama e Veliaj kanë vjedhur së bashku 54 milionë euro.

“Një hetim i hollësishëm, serioz, i dokumentuar, i publikuar dje nga Partia e Lirisë, dëshmon në mënyrë përfundimtare denoncimin që kemi bërë me dhjetëra herë dy vitet e fundit, se Edi Rama është kreu i organizatës kriminale dhe se në rastin konkret, fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

Dje u faktua se Edi Rama, për sipërmarrjen e tij, me të cilën pret çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim. Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra milionë euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësave, kontratë që është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve”, u shpreh Berisha.

Ky i fundit denoncoi se Rama ka firmosur bonus për një kontratë që në të vërtetë nuk ekziston.

“Edi Rama, siç e dini ju, ka firmosur për t’i dhënë bonus, kompanisë së tij, 8 përqind, në një kohë kur kjo kompani nuk ekzistonte në asnjë regjistër, në asnjë dokument të këtij shteti dhe ai kishte në zyrë shkresën e firmosur nga Ermonela Felaj”, deklaroi kryedemokrati.

Berisha iu kërkoi qytetarëve të reagojnë, sepse sipas tij, revolucioni popullor është e vetmja zgjidhje përderisa drejtësia nuk po reagon.

“Ky është një krim i shëmtuar, një vjedhje monstruoze. Kjo kërkon një përgjigje dhe këtë përgjigje mund ta japin vetëm qytetarët, kur SKAP-i është kthyer në SKAP vetëm kundër opozitës.

Qytetarë dhe qytetare, shpresa e vetme jeni ju, është zëri juaj, është revolucioni juaj. Kjo qeveri po bllokon çdo mekanizëm të hetimit të saj dhe ka hapur dyert për vjedhjen tuaj ditën e natën.

Ju bëj thirrje të ngrihemi kundër kësaj organizate kriminale që nuk ndalet para asgjëje, që mbulohet nga ajo drejtësi, e cila është shndërruar e tëra në një bashkëpunëtore të rrezikshme në vjedhje e krim të qeverisë shqiptare”, shtoi Berisha.

 

Të fundit