Flash News

Ditari i Opozitës

Boçi: Provokimi me 'Diellën', skenar për të mbyllur gojën e opozitës

     Boçi: Provokimi me 'Diellën', skenar për të

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi deklaron se përdorimi i të ashtuquajturës “Diella” një ministre virtuale që u paraqit si risi teknologjike nuk ishte gjë tjetër veçse një manovër për të shmangur fjalën e opozitës dhe për të fshehur të vërtetat e rënda që priteshin të thuheshin në praninë e trupës diplomatike.

I ftuar në Syri tv, deputeti demokrat theksoi se pas gjithë këtij skenari qëndronte frika e Ramës nga fjala e Sali Berishës, i cili do të denonconte lidhjet e qeverisë me narkotrafikun, mosveprimin e SPAK dhe përbërjen e dobët të kabinetit të ri.

Pjesë nga deklarata:

Fjalimi i “Diellës” ishte një formë e qartë provokimi nga ana e Ramës dhe një akt që prishi solemnitetin e seancës. Gjoja opozita u akuzua për prishjen e solemnitetit, ndërkohë që ishte vetë Kryeministri ai që e theu atë. Kurrë më parë nuk është parë që gjatë fjalës së prezantimit të programit qeveritar të futen elementë të tillë, edhe pse sot këta elementë vishen me petkun e “inteligjencës artificiale”.

Por mos të merremi me “Diellën”, por me mentalitetin e Edi Ramës. Kjo nuk është hera e parë që ndodh në këto mandate të vjedhura nga ai. Megjithëse është provuar dhe faktuar se opozita ka ndjekur prezantimin e programit sepse ajo kërkon të bëjë opozitën e saj dhe të ballafaqojë programin me ata që kanë marrë gjoja përgjegjësinë Rama ka përdorur gjithmonë forma për ta shmangur përballjen. Opozita ka dhënë edhe vizionin e saj se çfarë do të bënte ndryshe në vend të një qeverisjeje të tillë socialiste.

Partia Demokratike kërkoi që seanca të zgjaste dy ditë, në mënyrë që të gjithë deputetët të kishin mundësi të flisnin. Kjo u kundërshtua nga mazhoranca, e cila këmbënguli që gjithçka të mbyllej brenda një dite, pavarësisht se sa vonë do të zgjaste. Rama përdori këtë truk provokativ, jo sepse kishte interes që opozita ta dëgjonte programin, por përkundrazi ai kërkonte ta fshihte programin dhe madje edhe qeverinë, duke i mbuluar me këtë provokim të stisur, një truk i padëgjuar më parë në Parlament. Ishte një tentativë e qartë për të shkatërruar formën parlamentare që, dukshëm, e bezdis dhe i rri ngushtë Kryeministrit.

Unë besoj se qëllimi i tij i vërtetë ishte që opozita të mos ishte e pranishme. Ai donte që ajo të largohej nga salla, që ta linte Parlamentin bosh, në mënyrë që ai të shmangte një debat parlamentar në sy të publikut dhe trupës diplomatike të pranishme. Sërish, u përballëm me arrogancën e një qeverie dhe një Kryeministri të cilit i prishet vaniteti kur përballet me opozitën.

Opozita flet nga vendi, kërkon fjalën për procedurë, reagon kur ndodhin shkelje në Parlament. Ndaj këtyre reagimeve nuk mund të ketë përgjigje ekstreme si ndërprerje seance apo votime të ngutshme. Rregullorja që po zbatohet është deformuar dhe është miratuar në mënyrë të njëanshme.

Çfarë mësoi publiku shqiptar sot?

Në sallë kishte ministra që për herë të parë prezantoheshin. Ky duhej të ishte momenti i tyre dhe i Ramës për të paraqitur idetë, vizionin dhe qasjen e tyre ndaj një programi qeverisës jo momenti i “Diellës”. Ajo që u paraqit nuk ishte një program i vërtetë, por një broshurë me premtime të ricikluara, pa referenca konkrete, pa qartësi se si do të realizohet apo çfarë impakti do të ketë për qytetarët. Sot qytetari shqiptar nuk mori asgjë.

Ky Kryeministër tashmë ka kaluar çdo kufi. Ai kërkon të vërë në komandë të gjithë njerëzit e tij, por është e pamundur që të komandojë shoqërinë shqiptare dhe opozitën. Ai kërkon që Parlamentin ta shndërrojë në një komision personal, shtetin ta bëjë një parti ashtu siç e ka bërë dhe Presidencën ta kthejë në një aneks të Kryeministrisë. Por këtë nuk mund ta bëjë më, as me opozitën, as me Shqipërinë.

Sot jetojmë në autokraci, në diktaturë. Jemi në alarm. Çdo ditë e më shumë, këto sinjale alarmi po faktohen.

Rama kishte frikë nga fjala e Sali Berishës, sepse pas tij, në të njëjtën kohë, ashtu siç e parashikon rregullorja, Berisha do të fliste para ambasadorëve.
Ai do të fliste për programin, për lidhjet e faktuara të qeverisë me narkotrafikun për atë që sot është problemi kryesor në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Do të fliste për mosveprimin e SPAK, për cilësinë e atyre ministrave që janë "marrë nën sqetull", vetëm për të mos përfunduar pas hekurave.

Do të fliste edhe për ata ministra që nuk e dinë as vetë pse janë aty ku janë, dhe për teatrin që sajuan një skenar i pastër, i organizuar dhe tashmë i spinuar nga mediat pranë qeverisë, sikur opozita qenka fajtore për precedentin që "votimi të përshpejtohet", e jo qeveria.

Kuptohet qartë që ishte një skenar i përgatitur enkas për të mos u dëgjuar zëri i opozitës, që ambasadorët të mos dëgjonin të vërtetat. Që Rama të vazhdojë të qeverisë me vanitetin e tij, me shijen e tij për luksin, me arbitraritetin, arrogancën dhe dhunën ndaj jetës së qytetarëve.

Të fundit