Flash News

Ditari i Opozitës

Çështja Beccheti/ PD padit në SPAK Ramën, Agaçin, Hiçkën dhe zyrtarë të qeverisë: Dëm i qëllimshëm

Çështja Beccheti/ PD padit në SPAK Ramën, Agaçin,
Ivi Kaso

Partia Demokratike ka paditur në SPAK, kryeministrin Edi Rama, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçin, ish-Avokaten e Shtetit, Alma Hiçka dhe zyrtarë të lartë të qeverisë.

Ky kallëzim penal është për çështjen e 110 milionë eurove të humbura në gjyqin me biznesmenin italian Francesko Becchetin.

Pasi dorëzoi padinë, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso tha për mediat se kush u ka shkaktuar dëm qëllimisht shqiptarëve, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë.

"Për këtë arsye, sot dorëzuam në SPAK kallëzimin kundër personave kyç që po detyrojnë shqiptarët të paguajnë 110 milionë euro. Nga i gjithë shqyrtimi që ne i kemi bërë dosjes së arbitrazhit ndërkombëtar, Shqipëria doli e humbur në gjyqin me Bechettin, sepse kështu e kishte përcaktuar Edi Rama. Kryeministri u soll si një bandë mafioze për të sulmuar një biznesmen që i prishte punë, për të ndihmuar një biznes tjetër, me të cilin ndajnë fitimet", tha Kaso.

Sipas tij, ky është një nga dështimet e Ramës, ndërsa theksoi se SPAK duhet t'i provojë shqiptarëve se investimin e bërë për reformën në drejtësi.

"Shqiptarët nuk kanë për të paguar për aferat mafioze dhe korruptive të Edi Ramës, Engjëll Agaçit apo Erion Veliajt. Do të paguajnë ata vetë me pasuritë e tyre. Këtë do ta bëjë të mundur Partia Demokratike në ditët e para pas votëbesimit të 25 Prillit.

Kush ka përgjegjësi për faturën 110 milionë euro, që nga Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Avokatura e Shtetit dhe kushdo qoftë, jo vetëm do të shkojnë para drejtësisë, por do të paguajnë me pasurinë e tyre dëmin 110 milionë euro", tha Kaso.

 

Të fundit