Flash News

Ditari i Opozitës

GJKKO i sekuestroi pasurinë, reagon deputeti Mahmutaj: S’kam lidhje me vëllain, i kam ngritur me punë e sakrificë

GJKKO i sekuestroi pasurinë, reagon deputeti Mahmutaj: S’kam lidhje

Vjen reagimi i parë i deputetit demokrat Kasëm Mahmutaj, pasi GJKKO ka konfiskuar me kërkesë të SPAK pasuritë e deputetit dhe familjarëve të tij.

Në një reagim për “5 Pyetjet.al”, deputeti thotë se procesi nuk është mbyllur . Ai sqaron se nuk ka lidhje me të vëllanë dhe se pasuritë i ka krijuar me punë e sakrificë.

“Procesi vazhdon. Asgjë nuk është mbyllur. Vendimi është i shkallës së parë, jemi në Apel. Ne i kemi të gjitha “OK”-ej. Po vazhdon procesi gjyqësor për paraqitjen e bilanceve dhe të ardhurave. Pra nuk është mbyllur asgjë.

Jam ndjerë keq që kur ka filluar kjo procedurë. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar. Ç’lidhje kam unë me vëllanë? Unë i kam krijuar nga puna ime, sakrifica ime, ime shoqe, familja komplet. Shpresoj mos të ketë prapavijë politike”, ka deklaruar ai.

Në favor të shtetit kanë kaluar 2 pasuri të paluajtshme tokë truall, 1 automjet dhe apartamente me dyshimin se e kanë prejardhjen nga aktiviteti kriminal. Mahmutaj është deputeti i parë që i konfiskohet pasuria, me kërkesë të prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi vëllai i tij Gazmend Mahmutaj është subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

Ai njihet si person me precendent kriminal dhe është dënuar me 25 vite heqje lirie, për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali. Gjykata ka konfiskuar në total 22 pasuri, që janë në pronësi të Gazmend Mahmutaj, familjarëve apo lidhjeve miqësore e shoqërore të tij. Referuar vendimit të gjykatës tre vëllezërve Mahmutaj i janë sekuestruar, apartamente, automjete dhe disa ndërtesa që janë ende në proces legalizimi.

Pasuritë janë në emër të vëllezërve Gazmend, Behar dhe Kasëm Mahmutaj. Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për deklarimin mbi burimin e të ardhurave Mahmutajt më 18 shkurt të vitit 2020. Operacioni Forca e Ligjit nisi më janar të vitit 2020, ku përgjatë një viti, OFL evidentoi rreth 1500 pasuri të dyshimta nga të cilat 523 u sekuestruan me vendim gjykate.

Të fundit