Flash News

Ditari i Opozitës

Ish-deputetja e LSI shpjegon si do funksionojë koalicioni: Negociatorë nuk ishin Berisha me Kryemadhin

Ish-deputetja e LSI shpjegon si do funksionojë koalicioni: Negociatorë

Ish kryeministri Sali Berisha firmosi dje marrëveshjen e koalicionit me LSI-në, të zyrtarizuar tashmë me emrin “Shtëpia e Lirisë”, për të garuar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, në 6 bashki të vendit.

Ish-deputetja dhe njëherazi anëtare e Kryesisë së LSI, Silva Caka tha për News 24, se negociatat për krijimin e koalicionit nuk janë bërë mes Berishës dhe Kryemadhit, por mes sekretarit të Përgjithshëm Endrit Braimllari dhe deputetit Belind Këlliçi.

“Negociatat janë udhëhequr nga dy njerëz, që në gjykimin tim i përkasin një gjenerate të re të politikanëve, pikërisht Endrit Braimllari dhe Belind Këlliçi. Negociatat kanë qenë si politike, ashtu dhe administrative. Negociatat janë zhvilluar mes këtyre dy përfaqësuesve, por do të ketë edhe bashkëpunime të tjera. Basha dhe Balla na quajtën njëherësh “koalicioni non grata”, dhe unë kam një pyetje për ta “Mos janë përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë?” Këto deklarata mund të kenë pasoja. në momentin që tenton t’i vësh epitete palës tjetër, përpiqu të jesh objektiv, që mos të të kthehet si bumerang ndaj vetes”, tha Caka.

Caka shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë koalicioni, në një kohë kur vetë LSI nuk ka shpallur emra kandidatësh. Caka u shpreh se do të mbështesin kandidatët e zgjedhur nga primaret e Berishës.

“Objektivi kryesor është shpallja e kandidaturave dhe suporti i tyre. Në suport të këtyre kandidatëve, që janë zgjedhur nga një proces, që duhet duartrokitur, pasi përbën risi në demokracinë e brendshme të partive, do të mbështeten këto kandidatë, që janë gjykuar nga anëtarësia e PD, por njëkohësisht edhe nga anëtarësia e LSI, apo edhe PDK. Anëtarët tanë kanë dhënë pëlqimin për këto kandidatura. Qëllimi kryesor është rrëzimi i regjimit në këto gjashtë bashki, si dhe për të treguar opozitën e vërtetë përballë Ramës. Suporti do të jetë më tepër politik. LSI ka vendosur në dispozicion të këtij koalicioni çdolloj burimi njerëzor. Ne nuk do të kemi kandidatë. E gjykuam në konsultim me Kryesinë, që ne të mos fragmentarizohemi më tej, por të jemi në suport të këtyre kandidatëve”, sqaroi ish-deputetja.

Të fundit