Flash News

Ditari i Opozitës

Mziu reagon pas humbjes së PD, mesazh dibranëve: Ajo 5 mijë lekëshe do ju dalë në ëndërr dhe do ju vrasë në shpirt

Mziu reagon pas humbjes së PD, mesazh dibranëve: Ajo 5 mijë
Xhelal Mziu

Pas humbjes së PD në zgjedhjet e 25 prillit, ka reaguar kandidati i Dibrës Xhelal Mziu. Ky i fundit ka falenderuar qytetarët dhe strukturat e PD-së për fitorën në këtë qark. Mziu ishte kandidati më i votuar i demokratëve në Dibër.

Ai hedh akuza për blerje votash nga PS, duke theksuar se për t'u mbajtur pushteti u shantazhua dhe u përdor administrata, policia dhe paratë e krimit.

"U përdor administrata duke i shantazhuar ato, u përdorën të punësuarit fiktivë, u përdorën punëdhënësit, u përdorën mësuesit, mjekët dhe infermjerët.

U përdorën para të pista pafund, të shpërndara nga punonjësit e postës në zarfat e pensioneve, u përdorën administratorët të cilët çuditërisht çonin nëpër shtëpi edhe në orë të vona të natës zarfat me para, gjoja të ndihmës ekonomike.

U përdorën segmente të caktuara të policisë së shtetit, "ushtarë të krimit të organizuar, të përdorur edhe në 2016 në parcelat e hashashit, apo 2017 në vjedhjen e votave", dhe të gjitha këto i kemi referuar në organet kompetente.

U përdorën bandat e krimit të organizuar njësoj si në zgjedhjet e kaluara, por që për këto krime elektorale besoj se do të ketë një dosje, një dosje që shpresoj të mos ketë fatin e "dosjes 184" që të zhduket dhe aktorët të rikandidojnë përsëri për deputet.

U lejuan qindra ndërtime pa leje duke u nisur nga nga qyteti i Peshkopisë, ku është zënë çdo hapësirë, ndërtime pa leje në gjithë Maqellarën,në Gjoricë, Shupenzë e Bulqizë, në këmbim dhe për të deformuar votën e qytetarëve", shkruan Mziu në një postim në rrjetet sociale.

Ai dha dhe një mesazh për dibranët, që sipas tij, e shitën votën. Mziu iu bën thirrje qytetarëve që të mos shesin votën dhe të ardhmen e fëmijëve, duke nënvizuar se nderi i dibranëve nuk është aq "i pavlefshëm"

"Vota juaj nuk bën 5 mijë lekë! Ajo 5 mijë lekshe do ju dalë në ëndërr për 4 vjet, sa herë t'ju mbarojë thesi i miellit, sa herë tu duhet të shkoni në spital,sa herë të shkoni më dyqan, sa herë tu drejtoheni shkollave, universiteteve, zyrave të shtetit.

Ajo 5 mijë lekëshe do tu vrasë në shpirt sa herë të mos keni lekë për tu blerë librat e fëmijëve, apo kur tu dalin gishtat nga atletet e "gabit".

Ajo 5 mijë lekëshe do të jetë mallkim, për ju, fëmijët tuaj do t'ju mallkojnë...!"-shkruan ndër të tjera Mziu.

Të fundit