Flash News

Ditari i Opozitës

Në ditëlindjen e 30-të të PD, sot mbahet Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha, pritet shkarkimi i Bashës

Në ditëlindjen e 30-të të PD, sot mbahet Kuvendi i thirrur

Pas tre muajsh takime me demokratët në mbarë vendin me anë të lëvizjes ‘Foltorja’, ish kryeministri Sali Berisha mban në stadiumin ‘Air Albania’ Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kuvendi mbahet në 30-vjetorin e krijimit të PD-së, ndërsa Berisha e ka cilësuar këtë ditë si një moment për rithemelimin e kësaj partie.

Në programin e këtij Kuvend është parashikuar edhe shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha.

Delegatët duhet të jenë të pajisur me kartë ID ose pasaportë. Fillimisht do të miratohen ndryshimet statutore për të vijuar më pas përcaktimin e drejtimit të aksionit opozitar të PD-së si edhe analiza e propozimeve për ndryshime statutore që vijnë nga anëtarët e Kuvendit.

Mbështetësit e Berishës kanë njoftuar dhe mbajtjen e një referendumi pas zhvillimit të Kuvendit dhe një tur të dytë të ish-kryeministrit në të gjitha qytetet e vendit. Megjithatë mbetet për t'u parë se çfarë do të vendoset ditën e nesërme.

Gjithashtu kanë bërë me dije se Kuvendi që do të nisë në stadiumin "Air Albania" do të përfundojë në selinë blu. Ka pasur gjithashtu zëra se sot mund të ketë edhe tensione, gjë që është mohuar nga mbështetësit e Berishës.

Nga ana tjetër, paralelisht me Kuvendin kreu i PD, Lulzim Basha ka hapur dyert e selisë blu dhe ka ftuar demokratët në një festë në orën 12:00 për kremtimin e 11 dhjetorit.

"Demokracia u transformua nga një koncept në një ideal të pathyeshëm në 11 dhjetor 1991, në ditën kur vlerat dhe liria e shqiptarëve triumfuan mbi gjithçka. Le të kremtojmë së bashku këtë ditë të shënuar. Selia Qendrore e Partisë Demokratike. Ora 12:00", shkruhet në ftesën e shpërndarë nga Lulzim Basha.

Ky i fundit u shpall "non grata" nga DASH në maj të këtij viti. Berisha nuk i ka pranuar akuzat për korrupsion, duke paditur në Gjykatën e Parisit për shpifje Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ish-kryeministri e ka cilësuar këtë vendim hakmarrje politike të orkestruar nga Geroge Soros, pasi ka qenë një zë kundër ndaj këtij të fundit.

Pas presionit ndërkombëtar, Basha vendosi që më 9 shtator ta përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar i PD, vendim që solli përplasje në selinë blu.

Berisha nisi "Foltoren", ndërsa shumë demokratë dhe deputetë të PD i dolën në mbështetje. Ish-kryeministri ka hedhur akuza ndaj Bashës, duke deklaruar se bashkëpunon me qeverinë.

Nga ana tjetër kryedemokrati e ka cilësuar Kuvendin e thirrur nga Berisha një miting politik dhe në datën 18 dhjetor ka thirrur një tjetër Kuvend. Ai është shprehur se nuk ka ndërmend të dorëhiqet pavarësisht situatës së krijuar në PD.

Të fundit