Flash News

Ditari i Opozitës

Nesër Kuvendi i PD/ Si nisi aksioni i Berishës dhe çfarë pritet të ndodhë

Nesër Kuvendi i PD/ Si nisi aksioni i Berishës dhe çfarë

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar të gjithë demokratët që t'i bashkohen. Ai ka publikuar një video në Facebook, ku ka shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë delegatëve që firmosën për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD, të thirrur nga Berisha.

Ky i fundit zgjodhi datën 11, që përkon me krijimin e PD, ndërsa mbledhja nis në orën 10.00. Kuvendi i PD do të zhvillohet në stadiumin "Air Albania". Në këtë Kuvend synohet shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha.

Delegatët duhet të jenë të pajisur me kartë ID ose pasaportë. Fillimisht do të miratohen ndryshimet statutore për të vijuar më pas përcaktimin e drejtimit të aksionit opozitar të PD-së si edhe analiza e propozimeve për ndryshime statutore që vijnë nga anëtarët e Kuvendit.

Mbështetësit e Berishës kanë njoftuar dhe mbajtjen e një referendumi pas zhvillimit të Kuvendit dhe një tur të dytë të ish-kryeministrit në të gjitha qytetet e vendit. Megjithatë mbetet për t'u parë se çfarë do të vendoset ditën e nesërme.

Gjithashtu kanë bërë me dije se Kuvendi që do të nisë në stadiumin "Air Albania" do të përfundojë në selinë blu. Ka pasur gjithashtu zëra se ditën e nesërme mund të ketë edhe tensione, gjë që është mohuar nga mbështetësit e Berishës.

Ky i fundit u shpall "non grata" nga DASH në maj të këtij viti. Berisha nuk i ka pranuar akuzat për korrupsion, duke paditur në Gjykatën e Parisit për shpifje Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ish-kryeministri e ka cilësuar këtë vendim hakmarrje politike të orkestruar nga Geroge Soros, pasi ka qenë një zë kundër ndaj këtij të fundit.

Pas presionit ndërkombëtar, Basha vendosi që më 9 shtator ta përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar i PD, vendim që solli përplasje në selinë blu.

Berisha nisi "Foltoren", ndërsa shumë demokratë dhe deputetë të PD i dolën në mbështetje. Ish-kryeministri ka hedhur akuza ndaj Bashës, duke deklaruar se bashkëpunon me qeverinë.

Nga ana tjetër kryedemokrati e ka cilësuar Kuvendin e thirrur nga Berisha një miting politik dhe në datën 18 dhjetor ka thirrur një tjetër Kuvend. Ai është shprehur se nuk ka ndërmend të dorëhiqet pavarësisht situatës së krijuar në PD.

Të fundit