Flash News

Ditari i Opozitës

Ofendoi Vokshin në Kuvend, Tabaku kërkon ndëshkimin e Ballës: Kush do ta donte këtë në familjet tuaja?

Ofendoi Vokshin në Kuvend, Tabaku kërkon ndëshkimin e

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi në Kuvend ndëshkimin e kreut të grupit parlamentar i PS, Taulant Balla pas ofendimit ndaj deputetes Albana Vokshi, duke e cilësuar situatën si një cenim të rëndë të dinjitetit.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se një gjuhë e tillë nuk është dëgjuar më parë në sallën e Parlamentit gjatë 12 viteve që ajo është deputete, ndërsa u bëri thirrje edhe deputetëve socialistë që të lënë mënjanë përplasjet politike dhe të dënojnë publikisht këtë sjellje.

"Zoti kryetar, në këtë sallë ne mund të kemi pasur shumë debate politike me njëri-tjetrin, nuk kemi rënë dakord me njëri-tjetrin, nuk jemi miq e shokë. Por që të ofendohet një kolege, në këtë nivel, nuk ka arritur asnjëherë në këtë sallë, të paktën në 12 vitet që unë jam këtu. Është cenuar dinjiteti i një kolegeje. Ju rrini gjithë ditën dhe mburreshi se si po i fuqizoni gratë, dhe kështu është fuqizimi juaj i grave? Kjo shprehje që u tha në këtë podium këtu, më pas del nga kjo sallë, i përplaset fytyrave, fëmijëve, grave, zonjave dhe kthehet edhe në një normë e standard.

Zonja Vokshi është nënë në radhë të parë. A donte dikush nga ju që fëmijët tuaj të dëgjonin atë shprehje? Unë nuk do ta doja. I bëj thirrje kolegëve socialiste, së pari të mos ndahemi politikisht për këtë çështje. Të lëmë politikën mënjanë dhe të mbështesim një zonjë që është ofenduar.

Së dyti, i bëj thirrje kolegëve të Komisionit të Jashtëm, drejtuar këtu dhe kryetarit, zoti Hasani. Zëvendëskryetarja e tij është ofenduar. Ju bëj thirrje, kryetar, që së pari të dënoni aktin. E më pas, të kërkohet ndjesë ashtu siç i meriton zonja. Jo të justifikohet me një sjellje që, në gjykimin tonë, edhe e përshkallëzoi akoma dhe më shumë ofendimin.

Zoti Peleshi, në raste të tjera për opozitën ju keni marrë masa të menjëhershme aty. I keni përjashtuar nga salla. Kanë dalë deputetë nga salla. Merrni këtë masë që kolega të kërkojë ndjesë, që kolegja Vokshi, këtu së pari, kur të kthehet në shtëpi, tek vajzat, të mos t’i thonë: pse u tha ajo shprehje. Kush do ta donte këtë në familjet tuaja? Kush do ta donte? Kush do e pranonte këtë sjellje?", u shpreh Tabaku. 

Të fundit