Flash News

Ditari i Opozitës

PD ankimon certifikimin e 11 majit, Logu: Zgjedhjet u deformuan nga krimi dhe shitblerja e votës

PD ankimon certifikimin e 11 majit, Logu: Zgjedhjet u deformuan nga krimi dhe

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu shprehet se Partia Demokratike po vijon me insistim betejën për të denoncuar shkeljet e zgjedhjeve të 11 majit.

I ftuar në Syri TV, ai tha se përveç denoncimeve publike dhe politike, PD ka ndjekur të gjithë rrugën ligjore, pavarësisht mungesës së besimit te institucionet zgjedhore dhe gjyqësore, për t’u përballur me atë që ai e quajti një shtet të kapur në funksion të partisë në pushtet.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike nuk e njeh dhe nuk mund ta pranojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa pret publikimin e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, i cili, sipas tij, pritet të jetë edhe më i ashpër se ai paraprak.

"Ne po vijojmë të njëjtën strategji për të denoncuar të gjitha shkeljet e rënda që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, të asaj që ne e kemi quajtur "farsa e madhe elektorale". Përveç denoncimit publik dhe mediatik të bërë nga z. Berisha dhe përfaqësues të tjerë, kemi ndjekur të gjithë hapat ligjorë, si pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ashtu edhe në Kolegjin Zgjedhor.

Kemi ndjekur këtë rrugë, jo se kishim ndonjë besim të madh se këto institucione do të garantonin drejtësi zgjedhore, por si një detyrim moral dhe politik ndaj qytetarëve që na kanë besuar më 11 maj dhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë të shohin të vërtetën mbi shkeljet e rënda të këtij procesi.

Sigurisht, nuk mund të pranonim një rezultat përfundimtar, duke pasur parasysh fenomenet që shoqëruan këto zgjedhje: shitblerjen masive të votës, angazhimin e grupeve kriminale që u shndërruan në shtabe elektorale të PS-së përfshirë persona në kërkim, përdorimin masiv të burimeve publike në funksion të fushatës, intimidimin e votuesve, manipulimin dhe tjetërësimin e votës së diasporës.

Nuk mund të pranonim një rezultat që ishte produkt i vendosjes së buxhetit të shtetit në funksion të partisë në pushtet", tha Logu. 

Të fundit