Flash News

Ditari i Opozitës

Certifikimi i 11 majit, PD ankimon vendimin e Komisionit Rregullator: Procesi u shoqërua nga shkelje të rënda ligjore

Certifikimi i 11 majit, PD ankimon vendimin e Komisionit Rregullator: Procesi u

Koalicioni PD-ASHM ka depozituar sot një kërkesë-padi pranë Kolegjit Zgjedhor, duke ankimuar vendimin e Komisionit Rregullator të KQZ-së, i cili certifikoi zgjedhjet e 11 majit.

Në padi, e cila mban firmën e përfaqësuesit ligjor Franci Nuri, kërkohet rrëzimi i vendimit të KQZ-së dhe mosnjohja e rezultatit zgjedhor, me argumentin se procesi është shoqëruar nga shkelje të rënda ligjore dhe problematika që e bëjnë atë “jo të lirë dhe jo të ndershëm”.

Në dokumentin e paraqitur, opozita rendit një sërë shkeljesh që, sipas saj, u evidentuan gjatë procesit:

-përdorimi i burimeve publike në fushatë,

-intimidimi i votuesve,

-patronazhistët,

-shpërdorimi i administratës publike,

-fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale.

PD-ASHM nënvizon se në qarkun Tiranë problematikat kanë qenë më të theksuara, për shkak të përqendrimit të popullsisë dhe administratës, por se fenomene të ngjashme janë konstatuar edhe në qarqe të tjera si Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk kanë përmbushur standardet kushtetuese dhe ligjore për të qenë të lira, të ndershme dhe të barabarta”, thuhet në konkluzionet e padisë, ku theksohet gjithashtu se reagimi i institucioneve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e rendit, ka qenë “i vakët dhe jo proporcional me seriozitetin e problematikave të konstatuara”.

PD-ASHM i kërkon Kolegjit Zgjedhor ndryshimin e vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të KQZ-së, duke e konsideruar të pavlefshëm shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.

Të fundit