Flash News

Ditari i Opozitës

PD nuk njeh zgjedhjet/ Këlliçi: Na vodhën 25 mandate! Opozita nuk do e braktisë fushën e betejës

PD nuk njeh zgjedhjet/ Këlliçi: Na vodhën 25 mandate! Opozita

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka komentuar vendimet e marra gjatë mbledhje së Kryesisë së PD-së këtë të mërkurë, njëri ndër të cilët theksonte se opozita nuk do ti njohë zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. 

I ftuar në SYRI TV, Këlliçi u shpreh se PD-së i janë vjedhur të paktën 25 mandate në zgjedhjet e 11 majit dhe për këtë arsye opozita nuk do të lërë bosh asnjë front beteje.

Ai thekson se PD nuk e njeh rezultatin, por do të hyjë në Parlament për të bërë opozitë të fortë, për të denoncuar vjedhjen, për të mbrojtur interesin qytetar dhe për të qenë zëri i të pambrojturve në një sistem që sipas tij, po shndërrohet në diktaturë moderne.

Belind Këlliçi: Vendimmarrja ka qenë në union dhe e prerë që nuk mundet PD të njohë këtë farsë elektorale të ndodhur më 11 Maj. Por, për shkak se jemi të vendosur për të bërë betejë dhe vendimmarrja ka qenë sërish unisone për të mos lënë asnjë front bosh, padiskutim PD do të shfrytëzojë çdo hapësirë, çdo medium ku mund ti bëhet rezistencë kësaj autokracie të instaluar tashmë që kthehet në një diktaturë moderne që e kap qytetarin tek buka e gojës.

Qëndrimi ynë është i qartë... Ne pretendojmë që padiskutim na janë vjedhur 25 mandate, prandaj pretendojmë dhe jemi të qartë e kemi prova e fakte që i disponojmë, i kemi bërë publike dhe do të vijojmë ti bëjmë publike që PD i janë vjedhur të paktën 25 mandate. Prandaj ne po themi që duhet të shkojmë në Parlament, ku na takonin 75 ulëse, ndërkohë nuk mund të lësh këto 50 që ke që ti kanë dhënë gjysmë milioni qytetarësh shqiptarë, pasi je shpresa e vetme që mund të bëhet ndryshimi në këtë vend.

Pra, sigurisht që eksperimentin e djegies së mandateve e provoi mazhoranda dhe PD në vitin 2019 dhe efektet kanë qenë katrastrofale përsa i përket ecurisë së mëpasshme jo vetëm jetës parlamentare por dhe Partisë Demokratike, sepse kosto ka qenë e jashtëzakonshme. Mos harroni që ne kemi miratuar një rezolutë në Kuvendin Kombëtar të prillit 2022, ku është dënuar përjetësisht akti i djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale, ajo që ndodhi në vitin 2019, ndërsa është cituar tashmë edhe në statutin e PD që ky mekanizëm në institucionet tona, nuk mund të ekzistojë më.

Pra, thënë këtë në Parlament, PD do jetë aty në mbrojtje të interesit të qytetarëve për të bërë opozitë, për të bërë transparencë për qytetarët, për të folur për problemet e qytetarëve. Për të folur jo vetëm për çështjet politike që janë alfa dhe omega për çdo gjë që ndodh në vendin tonë, por për të folur edhe për hallet e qytetarëve të zakonshëm, për çështjen ekonomike, për shpopullimin e Shqipërisë, për spitalet që nuk kanë ilaçe.

Të fundit