Flash News

Ditari i Opozitës

Primaret/ Berisha: Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të votojnë të parët, më pas qytetet e tjera

Primaret/ Berisha: Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të votojnë

Kreu i PD, Sali Berisha ka zhvilluar këtë pasdite një mbledhja me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Tiranës.

Gjatë fjalës që mbajti, Berisha u ndal te procesi i primareve, që do të përcaktojë kandidatët për zgjedhjet lokale 2023.

Sipas Berishës, Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të votojnë të parët, më pas qytetet e tjera.

“Në këto primare ne jemi të hapur për çdo anëtar apo simpatizant të PD të kandidojë dhe cilido që mendon se këto janë vetëm për anëtarët, ju them që janë edhe për simpatizantët. Ata janë të lirë të vijnë të votojnë bashkë me anëtarësinë tonë.

Ne nuk ofrojmë një diçka të themi të kontrolluar nga kryetari i degës, por një praktikë të vërtetë që cilido që do të provohet është i mirëpritur.

Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të jetë i suksesshëm. Kam besim në përgjegjësinë, përkushtimin tuaj se ju bashkë me anëtarët e kryesive, të seksioneve dhe grupseksioneve do t'i shndërrojnë primaret në një histori suksesi. Është bërë një lloj axhende, kalendari dhe në bazë të tij do të ecet.

Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin do të përpiqemi ta përshpejtojmë dhe me të tjerat, dora dorës”, tha Berisha, ndërsa më herët Partia Demokratike ka zbardhur kalendarin e procesit të primareve që do të mbahen për kandidatët e zgjedhjeve vendore.

Gjatë fjalës së tij, Berisha i cilësoi primaret dhe organizimin e protestave si dy çështjet më themelore të PD-së.

“Sot dy janë çështjet më themelore të PD-së për veten dhe Shqipërinë, primaret dhe protestat. Unë kam bindjen se nga mëngjesi deri në darkë, shumica e atyre që ju takoni u pyesin se ku i keni protestat, pse nuk ka, pse i shtytë protestat dhe ata kanë shumë të drejtë.

Nga ana tjetër ne vijmë si një forcë politike që kemi premtuar ndryshimin dhe konkretizojmë në këtë periudhë një hop të madh cilësor në ndryshim, është zbatimi i primareve në zgjedhjen e qytetarëve të parë dhe këshilltarëve, në mënyrë që zotimin para shtetasve tanë dhe shqiptarëve ta shndërrojmë në realitet, me gjithë vështirësitë, por me bindjen më të thellë se ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Në këtë vend, vota u përjashtua nga partitë dhe nga shoqëria, prandaj rikthimi i saj është vendimtar për të ardhmen tonë dhe të Shqipërisë. Për një gjë ndihemi të lehtësuar.

Kjo parti nga dhjetori deri më sot ka votuar më shumë se kurrë dhe kemi bërë shumë mirë dhe prapë nuk do të rreshtim përpjekjet për të konsoliduar votën e lirë, si shprehja e vullnetit të anëtarëve dhe mbështetësve tanë.

Kryesia ka diskutuar gjerësisht për rregulloren e primareve. Tani përgjegjësia kryesore shkon tek seksionet dhe ky është zhvillimi tjetër i besimit që ne tregojmë për kryetarët e seksioneve, sekretarët. Atyre, seksioni i organizimit do të ju ndajë listat, do të jenë me dokumente zyrtare, mbi të cilat seksionet do të përcaktojnë simpatizantët dhe janë të mirëpritur të votojnë”, tha Berisha.

Të fundit