Flash News

Ditari i Opozitës

Profil i ‘të paangazhuarve’ në duelin ‘Berisha-Basha’/ Bardh Kadilli, një politikan i së ardhmes…pa të ardhme

Profil i ‘të paangazhuarve’ në duelin

Politiko.al, një ditë para 6 marsit do të profilizojë politikisht, tre eksponentë në kampin demokrat, Bardh Kadillin, Gert Bogdanin dhe Tomor Alizotin. Edhe pse janë të pangjashëm, ata ngjajnë te fakti se janë ‘të paangazhuar’ me dy kampet kryesore në PD, atë të Berishës dhe të Bashës.

Ne ju kemi dërguar secilit nga një pyetësor me pak pyetje. Në pritje të përgjigjeve ky është profili. Duke filluar me aktorin më protagonist ndër të tre, Bardh Kadillin

Bardh Kadilli ka qenë i pari që ka hedhur kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike, pas humbjes së zgjedhjeve më 25 prill, dhe i pari që ka kërkuar që Sali Berisha ta zgjidhë non grata-n e tij përmes aksionit personal, duke e lënë PD jashtë saj. Në muajt intensive nga maji deri në shtator, Kadilli u bë një personazh interesant, i kërkuar nga media dhe një zë origjinal, në një Parti Demokratike që fliste në dy regjistra: njëri i Bashës, që imitonte veten dhe jehonte muzikën e njohur të ankimtarisë kronike ‘nga humbja në humbje’, dhe një kori gjithnjë e më vokal të berishistëve që, edhe pse nuk e besonin, kishin frikë se Basha mund ta lëshonte idhullin e tyre. Megjithatë, zhgënjimin e parë Kadilli e provoi dhe dha në zgjedhjet për kryetar të PD, në qershor, kur u rendit i katërti ndër katër kandidatë, duke marrë rreth 700 vota.

Nëse ra në sy me ofertën dhe artikulimin e qartë politik, kaq flagrant ishte edhe rezultati. Te ky i fundit, përveç Bashës që siguroi një përqindje ‘enveriane’, pikasi edhe deputeti Agron Shehaj. Mungesën e artikulacionit politik, me sa duket, Shehaj e kompensoi me protagonizmin mediatik.

Megjithatë, duhej që në betejë të futej Sali Berisha, pas pezullimit të tij të papritur nga grupi parlamentar demokrat, që Kadilli të bëhej thuajse irrelevant.

Nëse përballë Bashës ai siguronte një dikotomi te nevojshme, si për PD ashtu dhe për publikun përtej saj, futja e Berishës në lojë fshiu gjithë pretendentët e tjerë. Në këtë pikë u duk se ish-kandidati për kryetar bëri një përllogaritje të keqe. Thuajse në të njëjtën kohë me ‘Foltoren’ e Berishës ai shpalli IDE, një fraksion brenda PD. Në shpalljn e fraksionit u panë eksponentë të Partisë Demokratike si Ivi Kaso, Arben Ristani, Enno Bozdo, apo edhe kandidati aktual për Bashkinë e Durrësit, Ardian Muka. Gjithashtu analisti Artan Hoxha foli në event duke e përshëndetur IDE-në.

Skena imitonte deri diku Aleancën Demokratike të dikurshme, me personazhe politike që artikulonin, por që nuk e kthenin dot gjuhën në mbështetje popullore. Në ndryshim nga AD, jeta e IDE nuk zgjati. U duk se, më shumë se një projekt politik kishte qenë një vegim. Për këtë ndihmoi edhe zmbrapsja, një e nga një, të të gjithë të sipërpërmendurve, të cilët iu bashkuan Foltores së Berishës.

E gjitha ndodhi për arsye se përballë Bashës zbriti e shkuara me mantelin e premtimit të së ardhmes: Sali Berisha. Ai grumbulloi shpejt njerëz dhe rezerva, si mediatike ashtu dhe materiale, duke marrë prej kapicës së stërmadhe të burimeve njerëzore, që nuk e duronin dot Bashën, por që deri atëherë strukeshin nga frika se pas tij ishte Berisha.

Edhe nëse Berisha nuk mund të ishte e ardhmja, ai të paktën linte Bashën pa të ardhme. Premtimi i Kadillit, se mund të kishte shpresë përtej të dyve, u humb në zhurmat e luftës së madhe. Inkursionet e fundit të tij mbetën dy ankime: se si, Basha në fillim, ashtu dhe Berisha më vonë, kishin marrë idetë e Manifestit, që ai prezantoi në garën për kryetar. Edhe pse kjo dukej e vërtetë, ka një rregull të pashkruar, sipas të cilit nuk ka rëndësi se e kujt është ideja, por se kujt i mbin ajo dhe kujt i mbahet mend.

Paradoksalisht, ja ku ishte një ish-kandidat për kryetar partie, që kishte themeluar një fraksion me emrin pompoz IDE, që ankohej se po i vidhnin idetë. Meqë, në politikë nuk ka të drejtë autori (copyright) një ankesë e tillë vlen vetëm sa një mbrëmje televizive në panelet e darkës. Pak habi, disa mijëra klikime dhe më pas abysi i ftohtë i harrimit.

Në këtë irelevancë banon silueta politike e Bardh Kadillit që prej vjeshtës së 2021. Edhe pse ndryshon shumë nga Gert Bogdani (i heshturi) dhe Tomorr Alizoti (mbipalësi), Kadilli duket si një i humbur në labirintin politik. Kjo e bën artikulimin e tij t’i ngjajë më shumë një analisti politik apo ‘intelektuali të pavarur’ sesa një eksponenti politik. Gandizmi, ku duket se është futur lloji i tij i ofertës, e ka provuar veten efikas, por në Indi, jo këtu te ne. Në vendin e Gandit e kanë të shenjtë lopën. Në vendin e Kadillit, lopa shenjtërohet vetëm sa kohë mund të milet.

Pas 6 marsit ‘këlyshët e oportunizmit’ do të turren për t’u futur poshtë sisëve më të mëdha politike.

©Copyright Politiko.al

Ky artikull është ekskluziv i Politiko.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Politiko.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Të fundit