Flash News

Ditari i Opozitës

Profil i ‘të paangazhuarve’ në duelin ‘Berisha-Basha’/ Tomorr Alizoti, ai që nuk bëhet palë…nga deliri se është mbi to

Profil i ‘të paangazhuarve’ në duelin

Politiko.al, një ditë para 6 marsit do të profilizojë politikisht, tre eksponentë në kampin demokrat, Bardh Kadillin, Gert Bogdanin dhe Tomor Alizotin. Edhe pse janë të pangjashëm, ata ngjajnë te fakti se janë ‘të paangazhuar’ me dy kampet kryesore në PD, atë të Berishës dhe të Bashës.

Ne ju kemi dërguar secilit nga një pyetësor me pak pyetje. Në mungesë të përgjigjeve (ai nuk pranoi të fliste) ky është profili i Tomorr Alizotit.  

Tomorr Alizoti në fillim u pa aty ku duket se shfaqen shumë nga ‘peshqit’ e burimeve njerëzore të partive politike: në studiot e televizioneve. Një profil simpatik, njëfarë qemalstafe i së djathtës, krahasimi jo vetëm për gjyslykët, por edhe iluzionin se në Shqipëri politika mund të intelektualizohet një ditë (gjë që nuk ka ndodhur prej 100 vjetësh), Alizoti ‘hante bukë’ televizive dhe publike si njëfarë esnafi i së djathtës.

Rrjedhur prej një familjeje të njohur dhe të persekutuar nga regjimi komunist, Alizoti duket se e kthente Shqipërinë në vitet e arta ’30, jo vetëm me gjyslykët, por edhe faktin se, ngjashëm me disa prej intelektualëve më në zë të asaj kohe, ai vinte nga Deutsch Kultura. E cila në atë kohë edhe u përfaqësua në një qeveri të mbretit Zog. Duke qenë se ‘eskortat’ politike të Bashës ishin, kryesisht bashibozukë që përsërisnin në mbrëmje televizoneve çfarë thoshte kryetari gjatë ditës, Alizoti u peshkua si pjesë e procesit të riformatimit apo reformimit të partisë. Në një miriadë departamentesh të krijuara si indulgjenca fetare nga Basha, atij iu dha të Përndjekurit Politikë. Alizotit nuk iu desh gjatë që setrën e të pavarurit ta zëvendësonte me të funksionarit partiak. Gjithë duke e ruajtur tehun e dikujt që vlente më shumë se partia. E cila në mjediset e pamëshirshme politike partiake fillon e lexohet si ‘më i mirë se kryetari’, si dikush që sillet si ai të cilit ‘kryetari i ka zënë vendin’. Ky lexim nga lart duket se e la Alizotin jashtë listës së kandidatëve për deputetë në vitin 2017. Dikujt që i duket vetja më i mirë se kryetari, karrigia e deputetit i duket një e drejtë hyjnore. Në çast Alizoti u kthye në në prej detraktorëve më të zëshëm të Bashës. Pas ngrirjes së Bashës dhe rizgjedhjes së tij kryetar, ai dha dorëheqjen nga zyra e të Përndjekurve dhe si anëtar kryesie. Më pas ai u kthye në protagonist të kritikave kundër kryetarit të PD. Lëvizjet radikale të Bashës, si djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale e ndryshuan skenën politike dhe afruan me kryetarin e PD një pjesë të atyre që dukej se ishin ftohur me të, pikërisht mbi pretendimet për një vend në Kuvend. Alizoti u ngroh edhe një herë me Bashën, edhe si pjesë e një ‘pakete njerëzore’ me afilacione fetare, ku bënin pjesë ai, Fitim Zekthi, Agim Baçi, Ergys Mërtiri, Redi Shehu, Vehap Kola, Red Varaku etj., të cilët në PD njihen si ‘intelektualët e xhamisë’.

Një pjesë e grupit u përfshinë në ‘komandën e komunikimit’ të Bashës, dhe një pjesë tjetër bënin betejën e studiove televizive. Alizoti mori një vend në listën e Beratit në zgjedhjet e 25 qershorit. Zekthi u gradua në kryesinë e partisë. Edhe pse kishte pakënaqësi ndër të tjerët, ‘uniteti i grupit’ rreth Bashës u ruajt.  

Aksioni politik i Berishës e ndryshoi skenarin për Alizotin. Në krye të konfliktit ai u fsheh, duke refuzuar ftesat për dalje në debate. Në valën e përplasjes, i vetmi përjashtim ishte një intervistë e shkurtër tet-a-tete me Blendi Fevziun (intervistat teke janë më të lehta për ta kontrolluar mesazhin dhe veten).

Në daljet e rralla mediatike ai e vendosi veten ‘mbi palët’, duke artikuluar se nuk ishte “as me Bashën dhe as me Berishën, por me PD”. Ndërkohë jepte mesazhe ambige, duke u ofruar herë me njërin e herë me tjetrin. Ndryshe nga Kadilli, që artikulonte disa ide për daljen nga kriza, apo ‘përtej Bashës dhe Berishës’. Alizoti dukej se idenë e vetme kishte një lloj paanësie, që e vendoste si superior mbi palët në konflikt. Ky pozicionim, një përzierje e delirit me oportunizmin, u duk se përmbysi imazhin e tij të fillimit prej prurjeje të re dhe konstruktive. Më shumë se siguri, kjo reflekton pasiguri. Ndërkohë që thotë se PD nuk fiton ‘as me Bashën dhe as me Berishën’, Alizoti nuk artikulon se me kë dhe si mund të fitojë. Dy janë gjasat e heshtjes: ose nuk ia ka idenë, ose nuk e ka guxmin për të thënë atë që mendon: se PD fiton me Tomorr Alizotin në krye.

Edhe në parti nuk është më i zëshëm se në publik. Një burim në PD i tha Politiko.al se, në mbledhjet e kryesisë ai garon me ‘intelektualen tjetër të madhe’ të PD, Grida Duma, se kush e citon më shpesh Hegelin (duke harruar se në një parti të së djathtës Hegeli si ‘baba intelektual’ i Marksit nuk të bën nder).

A do të flasë me 7 mars e në vijim Tomor Alizoti? Gjasat janë se situata politike në PD do të qartësohet edhe pa praninë e tij. Kur, më në fund, këmbët ta çojnë drejt ujrave të kthjelluara, për të do thuhet se 'në të djathtën shqiptare dhe në të kaluarën ishte shpresa e së ardhmes' . Kësaj here jo një i persektuar nga ndonjë regjim, por i përndjekur nga hija e vet.

©Copyright Politiko.al

Ky artikull është ekskluziv i Politiko.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Politiko.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Të fundit