Flash News

Ditari i Opozitës

Raporti i Eurostat/ Berisha: Rroga minimale ka mbetur aty ku ishte, paga e Altin Dumanit 15 herë më e lartë

Raporti i Eurostat/ Berisha: Rroga minimale ka mbetur aty ku ishte, paga e Altin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas publikimit të raportit të Eurostat, i cili e rendiste Shqipërinë si vendi me pabarazinë më të madhe mes pagës minimale dhe asaj maksimale në Europë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e ka cilësuar raportin si një “damkosje” për qeverinë aktuale dhe “narkoshtetin shqiptar”.

Berisha thotë se, referuar raportit paga minimale në vend që prej vitit 2023 është e pandryshuar, 408 euro, ndërkohë që paga neto e Altin Dumanit sipas tij kap shifrën e 7 mijë eurove në muaj, ose 15 herë më e lartë se paga minimale.

Kreu i PD-së, solli më tej shembullin e një punëtoreje të thjeshtë që rrit fëmijë me një pagë minimale, ndërsa drejtues të lartë të institucioneve marrin 15-fishin e saj, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi ekstreme dhe krizë morale të shtetit.

Pjesë nga deklarata e Berishës 

Eurostat jep lajmin damkosës për ekipin drejtues të narkoshtetit shqiptar.
Shqipëria është sot vendi me hendekun më të madh midis rrogave maksimale dhe rrogës minimale të qytetarëve shqiptarë.
Eurostat konstaton se rroga minimale në Shqipëri nga viti 2023 gjer sot ka mbetur aty ku ishte, 408 euro.
Ndërkohë rroga maksimale në Shqipëri, paga neto e Altin Troplinit është 7 mijë euro. Është 15 herë më e madhe se paga minimale.

Ndërkohë që rroga minimale nga viti 2023, siç deklaron Eurostat, është gjithsej 408 euro, rrogat e larta janë rritur me 30-40 përqind. A mund të imagjinoni ju që Edi Rama përcaktoi pension minimal për veten e tij, pensionin 4 mijë euro. Përcaktoi pra pension 10 rroga minimale.

E imagjinoni ju se çfarë pashpirtësie dhe amoraliteti i plotë.
Para jush me dhjetëra e dhjetëra herë kam denoncuar hendekun e madh midis rrogave minimale dhe rrogave maksimale.
Ky hendek në Shqipëri është ndër më të thellët në botë. Në Europë po e po, por në botë.
E thashë, Altin Troplini merr sa 15 rroga minimale.

Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo. Këto janë parime çnjerëzore të përcaktimit të pagave.

Të fundit