Flash News

Ditari i Opozitës

Shembja e Qukës–Qafë Plloçë, Himçi: Sot u kthye në simbol të keqmenaxhimit të fondeve publike

Shembja e Qukës–Qafë Plloçë, Himçi: Sot u

Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi ka reaguar pas rrëshqitjes së masivit shkëmbor në aksin Qukës–Qafë Plloçë, duke e cilësuar ngjarjen si një tjetër dëshmi të keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të fondeve publike.

Në një reagim në Facebook, Himçi thekson se rruga “strategjike”, e ndërtuar për 14 vite dhe me kosto 260 milionë euro, është shndërruar tashmë në një rrezik serioz për qytetarët, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe mungesës së transparencës në proceset e tenderimit.

Ai kërkon hetim të plotë, përgjegjësi dhe garanci për sigurinë e çdo përdoruesi të këtij aksi.

Reagimi i plotë: 

Rrezik në aksin Qukës–Qafë Plloçë, kur rruga “strategjike” kthehet në kërcënim për qytetarët
Një masiv shkëmbor ka rrëshkitur në aksin Qukës–Qafë Plloçë, fatmirësisht nuk pati viktima. Por ky incident mund të kishte qenë fatal dhe sot, dikush apo disa individë nuk do të kishin mundësi të ktheheshin pranë familjes nëse ai masiv do t’i kishte zënë poshtë.
Rasti tregon qartë cilësinë e ulët të punimeve dhe mënyrën sesi paratë publike shpërdorohen, lekët futen në xhep, ndërsa qytetarët udhëtojnë mes rrezikut.
Nuk është rastësi!
Kur tenderat mbyllen në telefon, kur fituesit parapërcaktohen nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, kur mungon transparenca dhe kontrolli teknik… rezultati është një rrugë e pasigurt dhe e paqëndrueshme.
Kujtojmë se për këtë aks u deshën plot 14 vite ndërtim dhe u harxhuan 260 milionë euro.
Rruga që duhej të ishte investim strategjik Lindje–Perëndim, sot është simbol i mungesës së përgjegjësisë dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.
Qukës–Qafë Plloçë nuk mund të jetë makth i përditshëm për qytetarët, duhet të jetë siguri, zhvillim dhe integrim.
Kërkojmë transparencë, hetim të plotë dhe garanci për sigurinë e çdo përdoruesi të kësaj rruge.
Qytetarët nuk duhet të paguajnë me jetën e tyre për gabimet e pushtetit!

Të fundit