Flash News

Ditari i Opozitës

Skandali me të dhënat e qytetarëve/ PD kërkon dorëheqjen e Ramës: Përdoren për qëllime elektorale

Skandali me të dhënat e qytetarëve/ PD kërkon

Partia Demokratike ka reaguar mbi skandalin e shpërndarjes së të dhënave të mbi 637 mijë qytetarëve. Nënkryetari Enkelejd Alibeaj e cilësoi pazar me të dhënat personale të qytetarëve këtë rast, ndërsa hodhi akuza mbi qeverinë.

Përmes një deklarate nga selia blu, ai tha se qeveria ka dështuar në mbrojtjen e të dhënave personale, duke sjellë në vëmendje dhe krahësuar me rastin e patronazhistëve.

“Sot, ne të gjithë jemi ndodhur përballë një skandali të përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria e Edi Ramës ka nxjerrë në pazar pagat e mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri. Të dhënat personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve gjenden sot të publikuara në rrjetet sociale dhe në duart e çdokujt që përdor aplikacionin e ëhatsapp-it.

Qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive për pagat, numrin personal të identifikimit, vendin e punës të mbi 630 mijë qytetarëve. Partia Demokratike beson se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve  është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimit të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve", tha Alibeaj.

Ky i fundit shtoi se PD beson se lista e emrave përdoret për qëllime elektorale nga socialistët. Alibeaj ka kërkuar dorëheqjen e Ramës, ndërsa drejtësisë i ka bërë thirrje të nisë hetimet pa vonesë.

“Për ne, nuk ka asnjë dyshim se lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale. 

Sot paga dhe të dhënat sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve janë në pazar për shkak të një shteti të rënë në duart e militantëve partiakë, që Edi Rama i përdor për pushtetin e tij personal. Edi Rama sot duhet të japë Dorëheqjen! Drejtësia duhet të veprojë sa nuk është vonë! Një pushtet I vjedhur duke keqpërdorur  shtetin nuk duhet dhe nuk mund të mbahet dot gjatë në këmbë!"- deklaroi ndër të tjera Alibeaj.

Të fundit