Flash News

Ditari i Opozitës

Takimi Dumani-Lamallari/ Bardhi: SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë!

Takimi Dumani-Lamallari/ Bardhi: SPAK nuk mund të jetë mekanizëm

Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi ka reaguar në lidhje me takimin e zhvilluar këtë të hënë mes kreut të SPAK, Altin Dumani dhe Ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi shkruan se ky takim është sipas tij një përpjekje e ekzekutivit për të përdorur SPAK-un në funksion të propagandës qeveritare.

Sipas Bardhit, marrëdhënia mes institucioneve të drejtësisë dhe atyre ekzekutive duhet të jetë strikte dhe të udhëhiqet vetëm nga ligji, duke mos u përdorur për qëllime politike apo mediatike.

Ai ka theksuar se SPAK nuk mund të jetë një zgjatim i propagandës së Qeverisë, por supozohet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Reagimi i plotë i Bardhit

Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënia të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.

Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë. Ç'lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?

SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë.

Të fundit