Flash News

Ditari i Opozitës

U përjashtua nga Kuvendi për 10 ditë, flet Paloka: S’kisha dyshim për vendimin, Rama na provokoi

U përjashtua nga Kuvendi për 10 ditë, flet Paloka: S’kisha

Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, ka reaguar pas vendimit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për ta përjashtuar për 10 ditë bashkë me Bujar Leskajn, nga mbledhjet e komisioneve dhe seancat plenare.

Në një intervistë për Euronews Albania, Paloka tha se vendimi ishte i pritshëm i marrë nga vetë kryeministri Rama. Paloka u shpreh se me gjuhën që Rama përdori ndaj opozitës dy ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, duke i fyer publikisht, duhej të ishte përjashtuar.

Paloka tha se vendimi i marrë sot ndaj tij dhe Leskajt, shpjegon se si funksionon Parlamenti.

“Për vendimin nuk kishte asnjë dyshim se si do të ishte. Sepse në të njëjtin Parlament Edi Rama publikisht nga podiumi i ndjekur nga të gjithë shqiptarët, lëshoi gjithë atë lum sharjesh për opozitën dhe nuk mori as edhe një vërejtje formale. Ndërkohë që duhet të ishte ndaluar dhe të ishte nxjerrë jashtë nga salla në atë moment. Unë dhe Bujar Leskaj që reaguam jo në podium, jo publikisht, jo para mediave dhe në seancë të pezulluar ndaj këtij kryeministri gojëqelburi që nuk meriton të jetë asnjë sekondë në atë vend, ne përjashtohemi me vendim të po këtij kryeministri. Kjo shpjegon se si funksionon ky Parlament. Unë e kam thënë që ditën e parë të seancës së parë dhe kam deklaruar se ky Parlament është ilegjitim dhe nuk ka më asnjë vlerë fjala”, tha Paloka.

Lidhur me debatet, Paloka tha se i provokoi vetë kryeministri i cili e nisi me Bujar Leskajn. Demokrati tha se përgjigjja e tyre erdhi pas sharjeve dhe ofendimeve, që Rama i bëri dy ditë më parë deputetëve të opozitës.

“Ngjarja konkrete me të prapë ishte ai që në njëfarë mënyre provokoi sepse e ka këtë veti. Ishte vetë ai që u ngacmua me zotin Leskaj. Dhe pastaj ne sigurisht i nxorëm gjithë çfarë kishim grumbulluar nga sjelljet e tij poshtëruese ndaj opozitës një ditë më parë. Ne nuk ishim në sallë në atë moment, por ja kthyem dje”, u shpreh Paloka.

Të fundit