Flash News

Ditari i Opozitës

U përjashtuan ose pezulluan, mbështetësit e Berishës nuk e njohin vendimin e Kryesisë; reagimet

U përjashtuan ose pezulluan, mbështetësit e Berishës nuk e

Kanë ardhur reagimet e para nga mbështetësit e Sali Berishës, të cilët u përjashtuan nga PD. Ata janë shprehur se nuk e njohin vendimin e Kryesisë, duke theksuar se është shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjettorit.

Deputeti dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Edmond Spaho ka deklaruar se Kryesia është zgjedhur në kundërshtim me statutin dhe se nuk merr dot asnjë vendim.

“Lulzim Brava mund të më shkarkojë, nëse do të isha anëtar, vetëm nga shoqata e tij me Gaz Bardhin. E ashtuquajtura kryesi e zgjedhur në kundërshtim me statutin dhe e shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit nuk merr dot asnjë vendim për mua dhe këdo”, tha Spaho për "A2 CNN".

Vendimin për pezullimin nga Partia Demokratike, deputeti Tritan Shehu e ka quajtur anti-statuor. Ai ka deklaruar për "Euronews Albania" se do të shkojë në seli, duke paralajmëruar zhvillime ditët në vijim.

“Nuk ka Këshill Kombëtar, ka Kuvend Kombëtar dhe Komisioni i Rithemelimit. Do të ketë një Kuvend në muajin mars. Ka vetëm dy institucione PD në këto momente. Unë mendoj që do shkojmë dhe ajo godinë do u jepet demokratëve dhe do jetë e hapur për të gjithë. Do të ketë shumë shpejt zhvillime, ndoshta çështje ditësh”, u shpreh ai.

Vendimin për pezullimin nga PD nuk e njeh as Aldo Bumçi. Ai deklaroi se kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike, duke e konsideruar si njeriun e Edi Ramës.

“Unë nuk jam i pezulluar. Basha nuk ka lidhje më me PD. Lulzim Basha nuk njohu gati 5000 firma të delegatëve të partisë që mbushën stadiumin. Sot ai është njeriu i Edi Ramës. Është një ditë e keqe për demokracinë që të arrijmë që qeveria të kontrollojë opozitën. Pa Edi Ramën, Basha nuk do të qëndronte në zyrë, e mbrojti ndërhyrja brutale e policisë së shtetit. Lulzim Basha sot është Edi Rama, por që do të kontrollojë godinën e PD. Demokratët i ka humbur përjetë, nuk ka lidhje me PD, është politikisht i vdekur. Nuk del do të bëjë një mbledhje”, u shpreh Bumçi për "A2 CNN".

I pezulluari tjetër, Belind Këlliçi thotë se Basha po blindon PD-në nga xhelozia se nuk u bë dot lider. Ai ironizon teksa shkruan se "Çudi që s’ka ende të internuar apo pushkatuar". Këlliçi i bën thirrje kryedemokratit që të zbresë në bazë dhe të shikojë situatën.

"Ish kryetari i partisë që blindoi humbjen në PD, nga xhelozia se nuk u bë dot lider, i rezistoi gjumit deri në të gdhirë të ditës së sotme për të përjashtuar e pezulluar në grup kritikët e tij. Çudi që s’ka ende të internuar apo pushkatuar!  Zbrit në bazë dhe shiko si do të të presin. Ne kemi zgjedhur demokratët e bazës dhe ata të sakrificave, kurse ti Edi Ramën dhe bashkëqeverisjen!"-shkruan Këlliçi.

Më herët ka reaguar dhe deputetja Albana Vokshi, e cila në të njëjtën linjë nuk e njeh vendimin e marrë në mbledhjen maratonë të Kryesisë së PD.



 

Të fundit