Flash News

Ditari i Opozitës

Xhaferri: Pasi amnistuan Veliajn, SPAK dhe Kuvendi nisin sulmin frontal kundër liderit opozitës!

Xhaferri: Pasi amnistuan Veliajn, SPAK dhe Kuvendi nisin sulmin frontal

Kreu i FRPD, Besart Xhaferri ka reaguar pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për të ndryshuar masën e sigurisë për kreun e PD, Sali Berishën.

Në një postim në Facebook, ai shkruan se pasi amnistuan Erion Veliaj për inceneratorin e Tiranës, SPAK dhe Kuvendi nisin sulmin frontal kundër liderit opozitës.

Reagimi i plotë:

Vetëm një ditë pasi amnistuan Ramën, Agaçin dhe Veliajn për megaaferën e inceneratorëve, duke zhdukur në dosje emrin dhe provat kundër tyre, SPAK është hedhur në sulm kundër liderit të opozitës Sali Berisha, në kuadër të hetimit për dosjen e montuar “Partizani”.

Ndonëse në dosje nuk ka asnjë provë konkrete në raport me Berishën, ndryshe nga emailet e gjetura në dosjen e inceneratorëve që të çojnë tek koka e zezë për të cilën flet Ahmetaj nga arratia, SPAK merret me Sali Berishën, për mëkatin e vetëm se po çmonton çdo ditë këtë aferë.

Në ditën kur në Parlament mbërrin kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit për ndryshimin e masës së sigurisë për liderin e opozitës, ku kërkohet ashpërsim i kësaj mase, në Këshillin e Mandatave janë miratuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të propozuara nga Partia Socialiste, teksa në takim nuk ishte asnjë deputet i opozitës.

Në themel të këtyre ndryshimeve janë ashpërsimet e dënimeve për deputetët e opozitës që kërkojnë që Parlamenti të mos jetë seksion partie, por institucioni që kontrollon ekzekutivin.

Këto zhvillime janë tipare të qarta të një autokracie model lindor në tentativë.

Qëllimi I tyre është i qartë, largimi i vëmendjes nga megaaferat korruptive të kësaj qeverie si PPP në shëndetësi dhe djegësit, që po amnistohen nga drejtësia e re, duke bërë kurban vetëm zyrtarë të dorës së dytë dhe asgjësimi total i opozitës reale në vend.

Heshtja e ndërkombëtarëve, veçanërisht e atyre të Bashkimit Evropian është e papranueshme, pasi këto veprime represive të mazhorancës, veç mosbindjes civile rrezikojnë ta çojnë vendin në prag të kaosit!

 

 

Të fundit