Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet e 11 majit/ PD i kërkon KQZ-së të gjejë 130 mijë fletët, Kaso: Bazohemi në procesverbalet e tyre

Zgjedhjet e 11 majit/ PD i kërkon KQZ-së të gjejë 130

Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të nisë një hetim administrativ për mungesën e mbi 130 mijë fletëve votimi në zgjedhjet e 11 majit. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso, i ftuar në emisionin “Log.”, deklaroi se kjo kërkesë mbështetet në procesverbalet zyrtare të vetë KQZ-së.

“Kemi vendimin e KQZ-së për prodhimin e 3,534,792 fletëve votimi. Janë gjetur 1,463,204 fletë në kutitë e votimit, janë deklaruar si të papërdorura 1,935,834, ndërsa 5,000 janë dëmtuar. Nga ky bilanc, rezulton se mungojnë 130,754 fletë, të cilat as nuk janë përdorur, as nuk figurojnë si tepricë,” – deklaroi Kaso.

Sipas tij, nëse këto fletë nuk dalin, KQZ duhet të japë një shpjegim zyrtar se ku ndodhen. “Nuk akuzojmë, por kërkojmë sqarim mbi bazën e të dhënave që vetë KQZ na ka dorëzuar. Teprica që ka ngelur është më e vogël se ajo që duhej të ishte,” shtoi ai.

Kaso shprehu dyshime se fletët e munguara mund të jenë zëvendësuar, duke theksuar se një pjesë e tyre nuk janë as të përdorura, as të papërdorura, gjë që rrit pikëpyetjet për integritetin e procesit.

“Logjika më e thjeshtë të çon në dyshimin se mund të jenë përdorur në mënyrë të paligjshme,” – u shpreh Kaso, duke theksuar se deri më tani nuk është parë një shifër kaq e madhe gabimesh në administrimin e fletëve të votimit.

Të fundit