Flash News

DITARI POLITIK

Legjislatura e re nis sot punimet, pritet betimi i 140 deputetëve

Legjislatura e re nis sot punimet, pritet betimi i 140 deputetëve
Foto Ilustruese

Kuvendi i Shqipërisë çel sot, në orën 10:00, legjislaturën e XI-të, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Në sallën plenare do të ulen 140 deputetë, mes tyre 72 që hyjnë për herë të parë në politikën e lartë.

Partia Socialiste hyn në këtë legjislaturë me 83 mandate, nga të cilët 53 janë emra të rinj. Opozita, e përfaqësuar nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, ka 50 deputetë, me 14 prurje të reja. Në Kuvend bëjnë pjesë gjithashtu PSD me 3 mandate, partia “Mundësia” me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma “Shqipëria Bëhet” përfaqësohen nga një mandat secila.

Seancën e hap deputeti socialist Vasil Llajo, i cili do të drejtojë punimet deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Procedura nis me ngritjen e Komisionit të Verifikimit të Mandateve dhe betimin e deputetëve.

Mazhoranca ka shpallur si kandidaturë për kryetar të Kuvendit ish-ministrin Niko Peleshi, emër që pritet të votohet sot përmes fletës dhe kutisë së votimit. Pas shpalljes së rezultatit, Llajo i dorëzon vendin kryetarit të ri, i cili do të mbajë edhe fjalimin e tij të parë para deputetëve.

Në seancën e radhës, kryeministri Edi Rama pritet të paraqesë qeverinë e katërt të tij dhe programin qeverisës, për të marrë më pas votëbesimin e parlamentit. Kabineti i ri do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.

Të fundit