Flash News

DITARI POLITIK

Nis seanca konstituive në Kuvend, PD futet në parlament

Nis seanca konstituive në Kuvend, PD futet në parlament

Ka nisur seanca në Kuvend me Himnin Kombëtar. Seanca shënon konstituimin e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e fundit, si dhe hap zyrtarisht rrugën për funksionimin e qeverisë. Pjesë e Kuvendit do të jenë edhe deputetë e Partisë së Lirisë.

Në seancën e parë pritet të ngrihet komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve.

Në sallë janë ulur 140 deputetë, mes tyre 72 që hyjnë për herë të parë. Në zgjedhjet e 11 Majit, PS arriti të merrte 83 mandate, PD dhe aleatët 50 mandate, ndërsa 7 mandate u takojnë forca të reja, më konkretisht, 3 deputetët PSD e Tom Doshit, 2 deputetë Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe nga një deputet “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.

Seanca është hapur nga deputeti i PS-së Vasil Llajo. Sipas legjilsacionit, seanca e parë duhej të hapej nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, por Sali Berisha së bashku me Tritan Shehun e refuzuan.

Vasil Llajo çeli seancën konstituuese dhe njoftoi ngritjen e komisionit të verifikimit të mandateve, e cila përbëhet nga tre deputetet më të reja të Kuvendit, Marjana Koçeku, Zegjine Çaushi dhe Klodiana Çapja.

 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse.

Në seancë pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik ndërkombëtar. Në ambientet e Kuvendit mbërriti e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, në një sinjal të qartë të vëmendjes që SHBA vijon t’i kushtojë zhvillimeve demokratike në vend.

Të fundit