Flash News

DITARI POLITIK

Spiropali: S’na imponoheni dot me dhunë! Replikon Bardhi: Mosbindja civile nuk është t'i ulesh në gjunj Gjokës

Spiropali: S’na imponoheni dot me dhunë! Replikon Bardhi: Mosbindja

Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Kuvend.

Në rrjete sociale ajo shprehet se forca e dhuna fizike nga opozitarët në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot  Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt.

Pas saj ka replikaur kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili me ironi i drejtohet duke thënë se “Mosbindja civile nuk është ti ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës”.

Reagimi i Spiropalit: 
“Thelbi i saj i pandryshueshëm, qysh me Sokratin në Greqinë e Lashtë, i cili predikonte vënien në pikëpyetje të së drejtës morale të autoriteteve për një ligj të padrejtë, e deri tek Mahatma Gandi. Ai e gjunjëzoi Perandorinë Britanike, duke u ulur i pari në gjunjë derisa me miliona vetë u ulën pas tij në rrugët e Indisë. Ballë për ballë grykëve të pushkëve të batalioneve të regjimit kolonial. I cili hapte zjarr në trupat e tyre dhe të mosbindurit civilë nuk lëviznin nga vendi, është refuzimi absolut, i dhunës si mjet për imponimin e një të drejte të mohuar.

Beteja të tëra epike të njerëzimit për heqjen e skllavërisë, të drejtën e votës për gratë, anullimin e ligjeve raciste, fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut, u furnizuan me energjinë e pandalshme morale dhe rezistencën e hekurt shpirtërore të mosbindjes civile.

Mosbindja civile e përjashton kategorikisht ngritjen e dorës për të demonstruar forcë dhe synon krijimin e një kontrasti moral paralizues, mes trupave të protestuesve paqësorë dhe korpusit të një padrejtësie shtetërore të perceptuar si të tillë nga shoqëria.

Mosbindja civile mishërohet nga individë që i kundërvihen ligjërimit të një padrejtësie, duke marrë përsipër ta thyejnë paqësisht ligjin e padrejtë dhe duke pranuar paqësisht pasojën personale të shkeljes së atij ligji.

Mosbindja civile përmes guximit po edhe sakrificës vetjake, i kontribuon arritjes së zgjidhjes me drejtësi, jo përmes dhunës, po përmes masivizimit të ndjeshmërisë popullore që në fund ia del ta imponojë të drejtën e mohuar, si një lloj shah mati për autoritetet.

Kjo është, me fjalë të shkurtra, përmbajtja e konceptit të mosbindjes civile dhe kështu e ka çarë rrugën e historisë forca krijuese e mosbindjes civile, në një sërë ngjarjesh të jashtëzakonshme politike e shoqërore për liritë e të drejtat njerëzore.

Asgjë më e largët me përmbajtjen e thellë morale dhe formën cfilitëse të durimit të mosbindjes civile, nuk mund të imagjinohet dot, se sa përçudnimi i dhimbshëm i opozitarizmit politik e mediatik të kësaj vjeshte.

Keqardhje e madhe!

Por sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt”.

Reagimi i Bardhit: 

Na paska dhënë leksion nga burgu Pëllumb Gjoka përmes zyrës për shtyp të Kuvendit se cili është kuptimi filozofik i “mosbindjes civile”! Mosbindja civile në kuptimin e Pëllumbave në Kuvend është që krimi i organizuar të shpërfill ligjin dhe të mbretërojë në çdo institucion!

Por realisht, mosbindja civile nuk është ti ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës! As krimit të organizuar!.

 

Të fundit