Flash News

DITARI POLITIK

Profilet/ Një 2023 i artë për Berishën, Manastirliun, Meten, Këlliçin dhe Lapajn

Profilet/ Një 2023 i artë për Berishën, Manastirliun, Meten,

Viti 2023 lidhet kryesisht me zgjidhjet e 14 majit në nivel bashkie në fushën politike.  Zhvillime të rëndësishme trazuan ujrat e së majtës, ku skandale, arrestime, videoskandale tronditën opinion publik.

Po ashtu dhe opozita ka pasur intensivisht zhvillime brenda kampit të tyre.

Zgjedhjet i gjetën demokratët të ndarë si kurrë më parë, deputetët e saj të ndarë mes dy fraksioneve – njëri rreth themeluesit të partisë dhe veteranit politik Sali Berisha, tjetri rreth kreut të komanduar të  PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Kampi i Berishës u bashkua për zgjedhjet e majit me Partinë e Lirisë të ish-presidentit shqiptar Ilir Meta.

Po ashtu ky vit u shoqerua dhe nga denoncime të shumta ku kryesorja ishte afera e inceneratorëve.

Ndërkaq Politiko.al ka renditur pesë politikanët që ne 2023-in njohën rritje.

Ogerta Manastirliu 

Ogerta Manastirliu prej muajit shtator 2023 ajo mban postin e Ministres së Arsimit dhe Sportit. Ajo ishte një nga emrat e paktë  që i rezistoi ‘furtunës’ së mazhorancës për të ndryshuar kabinetin qeveritar.

Pak pasi mori postin ajo u përballë me ‘kalbjen’ e arsimit dhe ambientet e kopshteve në vendin tonë ku raste të shumta dhunë të edukatorëve ndaj fëmijëve nisën të denoncoheshin.

Manastirliu lajmëroi se është ngritur një Task Forcë për arsimin parashkollor që do të monitorojë kopshtet dhe një reformë e re në arsimin parauniversitar që do të nisë zbatimin e menjëhershëm.

Në një konferencë për shtyp, nisur nga ngjarja e dhunës së një 3-vjeçareje nga edukatorja në një kopsht privat të palicencuar, Manastirliu tha se reforma e re e arsimit parashkollor do të ketë zero tolerancë për dhunën.

Reforma e re përfshin edhe kornizë të re vlerësimi për edukatoret, ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e prindërve për të rritur sigurinë dhe cilësinë për kopshte dhe çerdhe.

Manastirliu mban titullin “Doktor i Shkencave”, në “Kimi Analitike dhe Mjedis”. Ajo ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në periudhën  2017- 2023.

Në vitin 2004 ka nisur karrierën profesionale në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social. Në këtë detyrë, Manastirliu ka qenë një nga kontribueset kryesore në hartimin dhe vënien në zbatim të “Strategjisë Lokale të Strehimit Social”.

Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung etj.

Në periudhën shtator 2013 – mars 2017, Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Prej vitit 2017 është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, si deputete e Qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 është zgjedhur deputete e Qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë. Manastirliu është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Sali Berisha

Ky vit padyshim ka qenë viti i Sali Berishës. Berisha u rikthye sërish në krye të Partisë Demokratike në muajin maj 2022. Rikthimi i tij erdhi pas dorëheqjes së Lulzim Bashës në muajin mars.

Ky është rikthimi i tretë i Berishës në krye të Partisë Demokratike. Ai erdhi në krye të PD-së në vitin 1991 dhe e drejtoi partinë për një vit, pasi më pas u zgjodh President.

Berisha u rikthye përsëri në ’97 dhe qëndroi si kryetar i PD-së deri në 2013-ën, kur dha dorëheqjen. Nga 2013-ta ai ka qenë deputet në Kuvend.

Berisha nisi “Foltoret” (2022), të cilave iu bashkuan shumica e demokratëve dhe zyrtarëve të lartë të partisë. Më pas nën udhëheqjen e Berishës, PD zhvilloi procesin e primareve, ku për herë të parë kandidatët që garuan në zgjedhjet lokale të majit u zgjodhën nga simpatizantët.

Procesi rezultoi i suksesshëm, ndërsa Berisha e konsideroi si rikthimin e fuqisë së votës. Me rikthimin në PD, Berisha bëri edhe një riorganizim të strukturave të PD dhe anëtarëve të tyre.

Gjatë zgjedhje elektorale të 14 majit, Berisha ka qenë tepër i angazhuar duke dal në media të ndryshme dhe i ftuar në shumë emisione.

Po ashtu Berisha është intervistuar dhe nga mediat e huaja. Denoncimet e bëra nga Berisha për shkelje të ndryshme nga kabineti qeveritar kanë qenë të pafundme.

Berisha ka qenë emri më i lakuar në media, sidomos këto muajt e fundit. Në një periudhë që qeveria i është ’sulur’, Berisha nuk është sprapsur por ka vazhduar të prishë çdo komision apo seancë plenare së bashku me grupin e tij opozitar.

Po ashtu Berisha ka thirrur dhe protesta të cilat janë mbajtur para Kuvendit, selisë së Partisë Socialiste, Gjykatës, etj.

Demokratët janë përballuar me një bllokadë nga ana e Kuvendit, ku shumë prej tyre janë përjashtuar disa herë nga seancat plenare, ku mes tyre ka qenë dhe Berisha.

Adriatik Lapaj 

Aktivisti Adriatik Lapaj këtë vit ka prezantuar lëvizjen e tij politike, e cila quhet “Shqipëria Bëhet”.

Lapaj është shprehur se nisja e këtij rrugëtimi ishte vendimi më i vështirë që ka marrë ndonjëherë.

Ai shtoi se në vend duhet të hapet gara politike dhe të miratohet ligji për referendumet duke sjellë demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Nuk do ju tregoj si është Shqipëria dhe si arritëm në këtë gjendje. Sot do ju flas si mund ta ndryshojmë dhe ta bëjmë një vend normal Shqipërinë. Unë besoj te cilësia e individit, por që ky i fundit të performojë duhet të garantohet shpërfaqja e tij në shoqëri.

Për të siguruar rregullat na duhet shoqëria. Na duhet të shkëpusim shoqërinë nga koncepti i mikut, partisë, etj. Të drejtën e studimit duhet ta japë ligji, vendin e punës duhet të fitosh në bazë të ligjit. Kujdesin shëndetësor duhet ta kesh në bazë të ligjit. Rimbursimet duhet të sigurohen nga ligji.

Duhet të shembim sistemin e kapjes së ekonomisë së shtetit nga pak duar. Kujtoj këtu ligjin për koncesionet, ligjin për PPP. Duhet të rishpërndajmë pasurinë e vendit përmes një kuadri të ri ligjor. Për të arritur këtu, duhet të shkojmë aty ku ka burimin problemi.

Duhet të hapim garën politike. Nëse s’ka garë politike, s’mund të ketë asnjë garë tjetër në vend. Populli sot është dekor i një republike që komandohet nga kolltukët e Tiranës. Duhet të miratojmë ligjin për referendumet dhe të sjellim demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit.”

Lapaj ka marrë mbështetje nga figura të ndryshme në vendin tonë si korçari i famshëm, Ilir Vrenozi, Gazetari Ermal Mulosmani, aktori i humorit Florjan Binaj, etj.

Belind Këlliçi 

Belind Këlliçi mbeti një nga emrat më të lakuar gjatë këtij viti. Ai kandidoi në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Tiranës.

Gjatë fushatës elektorale të 14 majit, Belind Këlliçi ishte një ndër figurat politike më të gjindshme në mediat vizive dhe jo vetëm.

Këlliçi u ‘kryqëzua’ dhe nga ana e mazhornacës, pasi ai u shfaq në një poster duke nxjerr dy gishtat e mesit.

Ish kreu i FRPD-së ka qenë gjatë këtij viti një nga zërat më të fortë të denoncimit të aferës së inceneratorve, kryesisht të Tiranës.

Kush është Belind Këlliçi?

Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015.

Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike.

Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores.

Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD.

Gjatë Kuvendit Kombëtar u krijua Komisioni i Rithemelimit të PD, mandati i të cilit zgjati deri në 22 maj, ditën e zgjedhjes së Sali Berishës si kryetar i PD. Këlliçi ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Ai gjithashtu drejtoi punimet e Kuvendit Kombëtar të 30 prillit 2022.

Këlliçi ka studiuar në universitetin Coppin State University për shkenca menaxhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2009 është kthyer në Shqipëri. Në përfundim të studimeve është shpallur “Studenti me mesataren më të lartë në diplomim”.

Ervin Mete 

Më 4 shtator kryeministri Edi Rama propozoi emrat e rinj për kabinetin qeveritar.

Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u vendos Ervin Mete, i cili zëvendësoi në këtë post Delina Ibrahimajn.

Ervin Mete ka mbajtur pozicionin si drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.

Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik.

Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE.

Mete është lektor i së drejtës fiskale pranë Shkollës së Magjistraturës. Ai ka shërbyer si ekspert dhe konsulent i Bankës Botërore (2011), Komisionit Evropian (2008) dhe PNUD-it (2007).

 

 

Të fundit