Flash News

E SHPJEGUAR

Berisha nis ‘foltoren’ me demokratët, rrugët që mund të ndjekë për të kundërshtuar vendimin e Bashës

Berisha nis ‘foltoren’ me demokratët, rrugët që mund

Ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të një statusi në Facebook ka njoftuar se nga nesër (E enjte) do të nisë bashkëbisedimin me demokratët në të gjithë vendin.

“Foltorja për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur” do të nisë në Tiranë, për të udhëtuar më pas edhe në qytetet e tjera të vendit.

Të dashur miq, ditën e enjte, më datë 16 shtator, ora 18:00, nisim ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”. Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratë dhe demokrate që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në mbarë vendin. Jeni të mirëpritur”, shkruan Berisha.

Pasi u përjashtua nga Grupi Parlamentar në 9shtator, një ditë më pas, nga oborri i Kuvendit Berisha ka paralajmëruar lëvizje brenda partisë për të rikthyer sipas tij Partinë Demokratike në piedestalin që meriton.

“Do marr çdo nismë ligjore statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton”, është shprehur ndër të tjera Berisha.

Berisha e ka cilësuar vendimin e Bashës “nul” dhe të marrë për interesa të tij personale. Pasi ky vendim nuk u prit mirë nga Berisha, ai deklaroi se do përdorte çdo pikë të statutit për të vendosur në vend dinjitetin e tij brenda mureve të selisë Blu.

Rrugët që mund të ndjekë Berisha për të kontestuar vendimin e Bashës

Për të kundërshtuar vendimin e kryedemokratit Basha, Berisha do të bazohet në rregullat që parashikon statuti i PD.

Për këtë, Berisha duhet t’i referohet nenit 54 të statutit.

Në pikën dy të këtij neni thuhet se “komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH-së kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë”

Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga komisioni Apelimit, Integritetit dhe Etikës, që drejtohet nga deputetja Flutura Açka.

Kjo e fundit do të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar.

Në një intervistë për Euronews Albania pak ditë më parë, e ka konsideruar vendim radikal dhe delikat që ndodhi në minutën e fundit. Ajo tha se ishte Basha i cili e mbajti gjithë peshën e vendimit i vetëm sepse nëse do të përfshiheshin të gjithë në proces do të ndikonin edhe te demokratët e thjeshtë.

Nëse çështja vjen në dorën e saj, Açka u shpreh se do e ketë të vështirë duke qenë se nga jashtë e ka admiruar figurën e Berishës, ndërsa brenda politike i takon ta gjykojë.

“Nuk e di çfarë rruge do të ndjekë zoti Berisha sepse ai i ka thënë publike gjërat e tij. Ajo që unë di të them është që nëse do të vijë fjala për komisionin të cilin drejtoj unë  çdo gjë do të jetë transparente, deri në fund, në respekt të çdo demokrati, në respekt të çdo simpatizanti dhe në respekt të procesit,” – u shpreh ajo.

Një rrugë tjetër që mund të ndjekë Berisha është Neni 43 mbi organizimin dhe funksionimin e kuvendit kombëtar parashikon mbledhjen e këtij institucioni në rast të një vendimi të këshillit kombëtar ose kryesisë së partisë. Gjithashtu, Kuvendi mblidhet edhe kur kërkohet nga 1/4 e delegatëve ose e vetë anëtarësisë.

Për të ndërmarrë një lëvizje të tillë, Sali Berishës i nevojitet mbështetje nga baza e gjere e partisë dhe sinjalet për një tur të mundshëm me demokratët i ka dhënë edhe pse jo të drejtpërdrejta.

Një poshtërim i pa dëgjuar dhe paparë ndonjëherë në historinë e partisë së lirisë ka ndodhur dhe jam i sigurt se anëtarët, mbështetësit, drejtuesit e të gjitha niveleve të PD, do të dinë të hedhin në koshin e plehrave, vendimin antistatutor, antiligjor, antidemokratik, të atij që sot është në krye të PD, por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, interesin e tij personal”, deklaroi Berisha gjatë fjalës së tij në homazhet në memorialin e Azem Hajdarit, duke kujtuar kështu 23-vjetorin e vrasjes së liderit të Lëvizjes Studentore të dhjetorit.  

Të fundit