Flash News

E-TJERA

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”, ekspertët flasin në Politiko: Cilat ishin ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Shqipëria politike edhe për vitin që lamë pas i ngjau një trupi që nuk i ikin ‘ethet’.

Masa e arrestit e kërkuar për kreun e opozitës, Sali Berisha, përçarja e Partisë Demokratike, tronditjet e vazhdueshme të klasës politike nga veprimtaria e SPAK, turbulencat e qeverisë ‘Rama’ ishin disa nga ngjarjet që shënjuan vitin politik në vend gjatë 2023-shit.

Figura të ndryshme të politikës dhe ekspertë të njohur kanë renditur në Politiko.al ngjarjet që e përcaktuan këtë vit në Shqipëri, sipas këndvështrimit të tyre si më poshtë:

Edith Harxhi, ish-zv.ministre e Jashtme: Masa e SPAK ndaj Sali Berishës, akti më i paprecedent që nga rënia e diktaturës

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Mendoj se ngjarja më kulmore që përcaktoi vitin politik në Shqipëri është hapja e hetimit nga ana e SPAK ndaj liderit të opozitës Z. Sali Berisha dhe miratimi në mënyrë të njëanshme të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestin në shtëpi të tij.

Kjo përbën aktin më të paprecedent në politikën shqiptare që nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe aktin më të rëndë politik ndaj një opozite në një vend anëtar të NATO-s. Duke qenë se ky proces ka qenë krejtësisht politik, antikushtetues dhe të bazuar në asnjë akuzë të drejtpërdrejtë penale ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Berisha, maxhoranca dhe institucionet e drejtësisë, tashmë të varura nga Kryeministri i vendit, kanë vendosur të hakmerren ndaj opozitës së vendit për të krijuar mundësinë e fitores së një mandati të katërt në vitin 2025.

Ky proçes, i cili është i njëjtë me ato të ngjashmit në Rusi dhe Bjellorusi, është kryer në radhë të parë për të krijuar panik dhe për të ngjallur ndjenjën e frikës nga pushteti të qytetarëve shqiptar, me metoda të njëjta si në vitin 1945 kur diktatura Hoxhiste erdhi në pushtet.

Fatkeqësisht, mafia në pushtet dhe pushteti i lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant, ka pasur deri tani mbështetjen e lobingjeve globaliste trans-nacionale dhe lobeve politike dhe diplomatike të joshura nga qeveria e Edi Ramës.

Duke dashur të mposhtin opozitën dhe popullin opozitar me anë të mekanizmit të manipulimit dhe maskaradës në zgjedhje, si dhe kapjes së shtetit ligjor dhe pushtetit mediatik, maxhoranca neo-komuniste nuk ka bërë gjë tjetër përveç se vetëvrasjen e saj politike.

Mandelizimi i liderit të opozitës Z. Sali Berisha do të jetë kthesa e madhe e shqiptarëve në vitin 2024, me shkërmoqjen e autokracisë më të inkriminuar në Europë dhe krijim e një qeverie teknike që do të hapë rrugë për zgjedhje të lira dhe të drejta dhe për t’i dhënë frymëmarrjen e lirë shqiptarëve pas një periudhe tepër të vështirë të krahasuar vetëm me 50-vjeçarin hoxhist. Kjo do të shënojë edhe fundin e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar.

Roland Qafoku, gazetar, analist: Shqipëria politike në 2023-shin i ngjau trupit që nuk i ikin ethet

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Edhe gjatë vitit 2023, sipas traditës, Shqipëria politike i ngjau trupit që nuk i ikin ethet. Nga njëra anë kishim një siguri të mazhorancës në pushtet që u fut në vitin e 11-të të qeverisjes dhe nga ana tjetër kemi një tronditje të vazhdueshme të klasës politike së pari nga veprimtaria e SPAK dhe së dyti nga zhvillimet brenda opozitës.

Për mendimin tim nëse ka një personazh dhe një institucion që dominoi Shqipërinë për vitin 2023, ai është Altin Dumani dhe SPAK që ai drejton. Kurrë më parë drejtësia shqiptare nuk kishte bërë atë që ka ndodhur gjatë këtij viti kalendarik duke tronditur politikën.

Shumë e kanë anatemuar, shumë e kanë akuzuar, shumë e kanë sulmuar, por është fakt që në këto 33 vjet drejtësia nuk ka krijuar polin e saj të vetin dhe real si gjatë këtij viti. Ndonëse ka edhe kritika të drejta, SPAK ka goditur majtas dhe djathtas dhe atë që nuk e bëri vetë politika për tu vëtëpastruar e ka bërë SPAK.

Firmosja e urdhër-arresteve për një sërë bashkëpunëtorësh të kryeministrit Rama, si zëvendësi i tij Arben Ahmetaj, por edhe hetimi për shumë të tjerë janë pika më e fortë e drejtësisë së re. Por, pavarësisht shume pretendimeve, edhe arrestimi i Jamarbër Malltezit dhe masa e arrestit për Berishën e kanë bërë SPAK të ndikojë dhe diktojë zhvillimet në politikën shqiptare. Fakti që politika ka krijuar frikë nga SPAK, veçanërisht te mazhoranca, për mendimin tim është arritje.

Ngjarja e dytë e madhe gjatë vitit 2023 është situata në PD. Pavarësisht se pritshmëritë ishin të mëdha, në 12 muajt e këtij viti jo vetëm nuk u arrit bashkimi që ishte premtuar, por mund të themi se PD është në situatën e saj më të rëndë.

Sot PD është e ndarë në katër pjesë: Pjesa e PD-së zyrtare që ka vulën fizike, por i ka humbur vula morale dhe është arsyeja kryesore që kjo PD është në këtë gjendje; Pjesa e Rithemelimit që nuk arriti të mbajë premtimin që do bashkonte partinë; Grupimi i Gazmend Bardhit që bashkëpunon me Rithemelimin nga parlamenti deri te rruga “George Bush”, por nuk njeh as Berishën e as Bashën; Grupi i katërt, ata të pavarurit nga çdo pavarësi, ose mund t’i quajmë ndryshe indiferentët romantikë nën drejtimin e Jorida Tabakut. E pra, mjafton kjo për të kuptuar që PD është e shpartalluar. Atij në PD që nuk i pëlqen kjo frazë, thjesht është jashtë realitetit dhe nuk e ndihmoj dot.

Kjo situatë ka bërë që qeveria të vijojë e pashqetësuar veprimtarinë e vetë dhe kjo nuk vjen për shkak të mënyrës së qeverisjes, por për shkak të opozitës. Rama ka kaluar shumë turbulenca gjatë vitit 2023. Arrestimi i disa bashkëpunëtorëve të afërt të tij dhe disa në kërkim si Arben Ahmetaj e ka tronditur shumë qeverinë.

Por megjithatë, i etur për pushtet Rama shikon më shumë në të ardhmen se sa në të tashmen. Ka rritur disa suksese në arenën ndërkombëtare gjatë këtij vitit dhe nuk duhet ta mohojmë kur Shqipëria kryesoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, mbajtja në Tiranë e Samitit të Berlinit, vizita e Ramës dhe takimi me kryeministrin e Anglisë, Rishi Sunak dhe vizita e parë e një presidenti francez si ajo e Emmanuel Macron, janë në dosjen e suksesit të qeverisë dhe Ramës.

Por, nëse raportet me Kosovën do ta quajmë politikë të jashtme, marrëdhëniet me shtetin ‘vëlla’ gjatë vitit 2023 ishin në pikën më të ulët dhe më të keqe. Edhe pse Albin Kurti nuk e shikoj si engjëllin e kësaj historie, duhej që Rama të bënte përpjekje dhe të ishte më i përulur, jo ndaj emrit Albin Kurti, por ndaj Kosovës dhe kryeministrit të shtetit të dytë me shqiptarë në Ballkan.

Por viti 2023 kishte edhe lajme të mira. 10 milionë turistët që ishin në Shqipëri gjatë këtij viti është një nga lajmet më të bukur dhe më të mirë që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 33 vjet. Sigurisht që ka meritë qeveria, por ajo nuk është e vetme. I takon edhe qeverive paraardhëse, që kanë vendosur secila nga një tullë në këtë industri, por edhe të biznesit shqiptar.

Neritan Liçaj, aktor, aktivist: 2023-shi i dha fund demokracisë dhe shkatërrimit të opozitës

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Viti politik në vend është akoma më i rëndë se ai që kaloi. 2023 u shënuar nga dhënia fund e demokracisë dhe shkatërrimi i opozitës. Ky ka qenë aksioni i armiqve të këtij vendi, të cilët nuk duan pluralizëm, liri mendimi, të drejta, mundësi zhvillimi etj.

Lufta kundër opozitës nisi politike, më pas kaloi në personale, tani po kalon në histerizëm, sa të vjen ndot edhe ta dëgjosh. Ajo që është e sigurt është se nuk mposhtet kurrë, por në thelb është shumë e rëndë. Kemi të bëjmë me kthimin e diktaturës hoxhiane në të gjitha etapat e saj, por në forma moderne.

E keqja më e madhe është se SPAK ose organet e drejtësisë nuk i shërbejnë më drejtësisë, por është kthyer në armë e drejtësisë, interesash të grupimeve kriminale ndaj vendit.

Ajo çka është më e rënda është e këta zotërinjtë e “drejtësisë së reformuar” janë shqiptar dhe nuk arrij dot ta kuptoj se si nuk e duan vendin e tyre, por përkundrazi janë kthyer në armiqtë e tij.

Sepse drejtësia duhet të mbrojë shtetin, institucionet duke nisur nga teatrot, opozita, kushtetuta, ligjet, korrupsioni dhe për më tepër paguhen nga taksat tona. Për mua banditët e parë janë ata, “drejtësia e re e reformuar”.

Kujtojnë se na hedhin “hi syve” duke çuar në burg disa njerëz të caktuar. Jo, ata po japin sinjalin se ‘ne po spastrojmë atë që duam ne’ sepse nëse do punonte mirë, nuk do kishte korrupsion që në vitin e parë të krijimit.

Fatkeqësisht, korrupsioni lulëzon njësoj. Ata që na serviren si kriminelë, pas dy vitesh dalin nga burgu, banditët bredhin sipas qejfit, vjedhja po ashtu… Ndaj nuk kam asnjë shpresë te kjo drejtësi. Mjafton të shikojmë se çfarë ka bërë ajo për të mbrojtur dy teatro kombëtar që janë institucione të rëndësishme të kombit. S’kanë bërë asgjë!

Meri Lika, eksperte ekonomie: Këtë vit, demokracia u kthye në një metaforë të vdekur

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Ngjarja më e rëndësishme gjatë vitit 2023, sipas mendimit tim është kthimi i demokracisë në një metaforë të vdekur.

Gjatë vitit 2023, drejtësia që na është servirur është ndërtuar plotësisht mbi padrejtësi, duke filluar me zvarritjen e çështjes së vulës dhe logos së Partisë Demokratike, më pas me vjedhjen e votave, me arrestimin e Fredi Belerit, me seleksionimin e arrestimeve për korrupsionin, me marrjen peng të gazetarit Qyno dhe në fund çështja e çelur ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, z. Berisha.
Korrupsioni edhe këtë vit ka qenë kryefjala e diskutimeve tona në lidhje me pandëshkueshmërinë e të korruptuarve të vërtetë, por nuk qe asnjë ditë kryefjala e organeve të drejtësisë sonë të re.

Ka më shumë se dhjetë vjet që demokracia jonë po vritet dalëngadalë, herë me akte të vogla e herë me akte më të dhunshme derisa këtë vit mori goditjen përfundimtare duke e hedhur në rrugë, ashtu të veshur me lecka dhe zhele, jashtëzakonisht të dobët, të zbehtë dhe të lodhur.
Gjatë vitit 2023 Demokracia jonë është duke kërkuar ushqim nëpër kazanët e plehrave të Padrejtësisë së Re.

Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt në librin e tyre "Si vdesin demokracitë" thonë se vdekja e demokracive është një proces i qartë, i padukshëm për sytë e qytetarëve dhe mbi të gjitha i durueshëm, pasi është në gjendje të minojë institucionet, të shkatërrojë liritë dhe të minojë të drejtat, në një proces që duket dhe quhet gjoja demokratik. Çuditërisht, thonë autorët, "regresioni demokratik fillon në votime".

Nëse duam të kthejmë në jetë demokracinë tonë që ndodhet në agoni, duhet të reagojmë. Të harrojmë indiferencën, frikën dhe mosbesimin. Lufta ndaj diktaturave është e vështirë, por në duhet ta bëjmë nëse nuk duam të zhdukemi.

Besart Xhaferri, kreu i FRPD: 14 maji dhe 21 dhjetori, datat që lanë njollë në historinë e politikës shqiptare gjatë 2023-shit

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Në zgjedhjet e 14 majit në cilësinë e kreut të FRPD kam qenë i angazhuar në Tiranë dhe qytetet qendër qarku nga Shkodra në Gjirokastër, ku me bindje e them se me urdhër të Edi Ramës, u vra vota e lirë. Dosjet 184 dhe 339/1 të zgjedhjeve në Dibër e Durrës, pa dyshim janë ‘maja e ajsbergut’ në raport me zhvillimet dramatike të 14 majit, në aspektin e demokracisë. 

Si një asnjë vend të botës, zyrtarët e korruptuar, policia e inkriminuar dhe krimi i organizuar, ndërhynë në zgjedhje duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Ndërhyrja me brutale, ishte në bastionet e PD, si Shkodra, Lezha, Kurbini, Kamza, Kukësi, Mati Dibra, por edhe në Tiranë Elbasan e Durrës, ku vota e lirë nuk e lexua drejt.

Përballë këtij ingranazhi vrastar, opozitën e privuan, nga logoja, nga vula, nga emri i kryetarit në fletën e votimit dhe nga fondet publike. Nuk ka parë asnjë vend i Evropës, apo aspirant për në Evropë zgjedhje të ngjashme, e pavarësisht kësaj opozita mori 7 Bashki dhe rreth 600.000 vota, që janë vota qëndresë dhe dinjiteti.

Për fat të keq nuk e kemi një shifër të saktë të numrit të votove të tjetërsuara, pasi me siguri rezultati do kishte qenë tjetër. Ideatori i kësaj masakre elektorale ishte Edi Rama dhe jo rastësisht Kryebashkiakët e tij nga Gjici, Memolla, Hajdari,  Dako dhe të tjerë vijojnë përballjen me drejtësinë për aferat korruptive. Pushteti lokal që pas 2019 është kthyer pas në kohë, pasi kaluam nga të emëruarit e qeverisë tek të emëruarit e krimit.

21 dhjetori i 2023 padyshim është një datë që do mbetet njollë në historinë e politikës shqiptare, pasi Kryeministri Edi Rama, autorizoi arrestimin e liderit të opozitës Sali Berisha, për fajin e vetëm se nuk shiti kauzat opozitare.

Ai votim i turpshëm i Parlamentit që i hapi rrugë SPAK për ashpërsimin e masës për Sali Berishën pas një hetimi farse, të një dosjeje politike pa asnjë provë, erdhi pas një procesi të çmontoi reformën në drejtësi dhe faktoi kapjen e saj. Më i rëndë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi kërkesën e grupit Parlamentar të PD, për të interpretuar masën e vendosur nga SPAK duke anashkaluar Parlamentin. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në vend që të bëheshin gardiane të kushtetuese, u bënë gardianë të shkeljeve të Edi Ramës, që pasi nuk ja doli të vrasë opozitën me paratë e korrupsionit, forcën e krimit dhe orvatjet e McGonigal, përdori armën e fundit, Drejtësinë e re, për të asgjësuar opozitën.

Pavarësisht këtyre fakteve tronditëse, demokratët dhe shqiptarët janë në protestë dhe po shkojnë drejt mosbindjes civile, ky është një lajm i mirë, pasi luftëtarët e lirisë, nuk do të lënë vendin të përfundojë në kthetrat e autokracisë.

Kastriot Çipi, regjisor, aktivist: Gjithçka që ndodhi në 2023-shin ishte thellim i së keqes, që kishte zënë fill më herët

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Viti 2023, në këndvështrimin tim modest, nuk pati një ngjarje të jashtëzakonshme me ndikim në jetët tona. Gjithçka që ndodhi ishte thellim i së keqes, që kishte zënë fill më herët.

Qysh prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, demokracia në këtë vend bën hapa prapa dhe ne rrëshqasim, pa shumë rezistencë, drejt një diktature të re, që ndryshe nga komunizmi, nuk e shpall veten diktaturë (diktatura e proletariatit, në atë rast), por ngul këmbë se është demokraci dhe i fsheh elementët e vërtetë të diktaturës pas sloganeve të rinj, si “mbrojtja e shëndetit publik”, “ndalimi i gjuhës së urrejtjes”, “shpëtimi i planetit nga ndryshimet klimatike”, “lufta për mbrojtjen e vlerave perëndimore”, “të drejtat e personave lgbtqi+”, “shoqëria pa para në dorë” etj, që përbëjnë shtyllat e ideologjisë së saj totalitare. Çdo mendim, ndryshe nga këto dogma globaliste, shpallet “teori konspiracioni”.

Politika shqiptare është “Big Brother” pa datë mbarimi, krejtësisht i manipuluar në prapaskenë, që i ofrohet publikut, për t’ia fshehur vëmendjes së tij, faktin se në të gjitha këto tema të vërteta, të rëndësishme, qeveria dhe opozita janë bashkë.

Është si një gjyq për një pronë të grabitur, ku avokati bën sikur grindet me gjyqtarin dhe avokatin kundërshtar, por në fakt thjesht zgjat gjyqin, të cilin do ta humbë, sepse e ka marrë ryshfetin.

Këto ditë, gazeta britanike ‘The Guardian’, në thirrjen e saj për donacione nga lexuesit, citon urimin e Enver Hoxhës për vitin e ri 1968: Ky vit i ri do të jetë më i vështirë se viti i kaluar, por më i lehtë se viti i ardhshëm".

E pra, 2024-a do të jetë një vit më i keq se 2023-shi. Por 2025-a mund të jetë vit më i mirë, nëse njerëzit fillojnë të informohen nga burime alternative, kuptojnë se konspiracioni nuk është teori, por i vërtetë dhe fillojnë të vetorganizohen për të rimarrë në duar fatin e tyre.

Ted Kopliku, anëtar i departamentit ‘Brain Gain’: “Çmendur”, triumfi i burrit të veshur me fustan është pasqyra më e mirë e jona në këtë vit

“Burgosja e opozitës dhe fundi i demokracisë”,

Për mendimin tim ngjarja më e rëndësishme e vitit 2023 është triumfi i këngës “Çmendur” në festivalin e RTSH-së, edicioni i 62-të. Mbase nuk biem dakort me këtë përfundim timin, por vdekja e drejtësisë, vjedhja dhe burgosja e opozitës apo konsolidimi i regjimit gjithnjë e më autoritar, janë aktet i radhës në shfaqen e paralajmëruar.

‘Çmendur’ është një dritë e të vërtetës përballë një shoqërie që vërtet po çmendet. Si çdo gjë me regji, edhe triumfi i burrit të veshur me fustan, por të zhveshur nga çdo vlerë shqiptare është pasqyra më e mirë e jona në këtë vit.

Të çmendur për të qëndruar indiferentë kur forcës më të madhe opozitare i hiqet e drejta për të kandiduar me partinë e saj dhe nën drejtimin e liderit të përzgjedhur në zgjedhjet lokale.

Të çmendur për të mos kuptuar regjinë e një drejtësie që nuk prek të korruptuarit, por ja konsolidon pushtetin me çdo veprim dhe mos veprim të saj, te cilët kulmojnë me kërkesën e burgosjes së drejtuesit të opozitës, pa asnjë akuzë që rëndon mbi të.

Të çmendur nga propaganda që shpërndahet çdo ditë e natë në gramafonët e regjimit, ku të bardhës i thuhet e zezë si Orwell në librin e tij të famshëm skllavërisë, liri.

Në një spital të madh me të cilin vendi ynë ngjan gjithnjë e më shumë, ky titull vjen si një pikë të vërtete në oqeanin e gënjeshtërt që ka mbuluar të gjithë hapësirën publike. / Politiko.al 

 

Të fundit