Flash News

E SHPJEGUAR

Basha me minus 10 deputetë në Kuvend, a do të krijojë Berisha grupin e tij parlamentar? (Rregullorja)

Basha me minus 10 deputetë në Kuvend, a do të krijojë

Përveç ish-liderit historik të PD, Sali Berisha, Kryesia e PD vendosi të përjashtojë dhe pezullojë nga partia edhe mbështetësit e tij, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit. Në mbledhjen maratonë, e cila përfundoi në orët e para të mëngjesit, u vendos përjashtimi i Bujar Nishanit, Flamur Nokës, Albana Vokshit, Edmond Spahos, Arben Ristanit, Klevis Balliut, Rigels Muçollarit dhe Keltis Krujës dhe duke pezulluar 19 të tjerë, përfshirë këtu edhe deputetë.

Pa Berishën, PD aktualisht përfaqësohet në kuvend me 51 deputetë në total (pa Berishen). Me vendimin e fundit të Kryesisë, pra me përjashtimin dhe pezullimin e 10 deputetëve (përfshirë Berishën), Basha mbetet me 42 deputetë në parlament.

Çfarë do të ndodh me ata tani?

Aktualisht, në krahun e opozitës kemi tre grupe parlamentare.

Grupi kryesor i opozitës, i PD ku është edhe numri më i madh i deputetëve.

Grupi i dytë, Aleanca Për ndryshim, një grup që drejtohet nga kreu i PR, Fatmir Mediu dhe ka në përbërje deputetët: Agron Duka, Merita Bakiu, Elda Hoti, Vangjel Dule, Emilja Koliqi dhe Dashamir Shehi.

Grupi tjetër Parlamentar për Integrim drejtohet nga Mesila Doda dhe përbëhet nga Ilda Dhori, Andia Ulliri, Nusret Avdulla, Shpetim Idrizi, Selaudin Jakupllari dhe Kasem Mahmutaj.

Nga ana tjetër, duhen llogaritur edhe 4 deputetë të LSI, por janë pa grup parlamentar. Pra në total, bashkë me 10 të përjashtuarit e Bashës, rezultojnë 14 deputetë që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare në sallën e kuvendit.

Çfarë parashikon rregullorja e Kuvendit?

Rregullorja e Kuvendit parashikon që një grup parlamentar formohet me më shumë se 7 deputetë, cka bashkë me Berishën deputetët e përjashtuar nga Basha mund të formojnë një grup parlamentar.

Por gjithashtu, në rregullore theksohet edhe fakti se nëse një deputet do të lëvizë nga një grup parlamentar te një tjetër duhet të kalojnë së paku 6 muaj qoftë për të krijuar një të ri apo për t’iu bashkuar një tjetri ekzistues.

Pra, 10 deputetët e përjashtuar nga PD duhet të presin deri në mesin e muajit qershor për të formuar një grup, e për rrjedhojë koha e tyre e diskutimeve në kuvend do jetë e limituar për mendimet dhe qëndrimet e tyre.

Vetë Berisha i pyetur pothuajse në çdo dalje të tij nga mediat, për krijimin e një grupi të ri parlamentar është shprehur kundër, duke thënë se ai është zgjedhur nga mbështetësit e PD-së dhe nuk mund të tradhtojë besimin e tyre, duke krijuar qoftë një grup të ri parlamentar, dhe qoftë një parti të re, sa kohë që demokratët ndihen të papërfaqësuar nga Lulzim Basha.

Një bashkëpunim me LSI-në, e cila përbëhet nga 4 deputetë mbetet një opsion që mund të shohim në të ardhmen, nëse i referohemi edhe deklaratave të presidentit Meta, i cili ka shprehur ambicien për t’u rikthyer në LSI pas përfundimit të mandatit, apo edhe deklaratave të tij kundër Lulzim Bashës.

Deputetët e përjashtur dhe pezulluar pas Berishës: Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Agron Shehaj, Belind Këlliçi,  Edi Paloka,  Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu dhe Luan Baci.

Deputetët kunder Bashes:

1.Flamur Noka Perjashtuar

2.Edi Paloka Pezulluar

3. Tritan Shehu Pezulluar

4. Albana Vokshi Perjashtuar

5.Luan Baçi Pezulluar

6. Oerd Bylykbashi Pezulluar

7. Bujar Leskaj (Pa masë)

8.Luciano Boçi (Pa masë)

9.Belind Këlliçi Pezulluar

10.Sali Berisha Perjashtuar

11.Isuf Celaj (Pa masë)

12 Sorina Koti (Pa masë)

13 Edmond Spaho Perjashtuar

14 Agron Shehaj Pezulluar

15 Tomor Alizoti(Kunder te dyve)

Të fundit