Flash News


E SHPJEGUAR

U dogj për 4 ditë, avioni i ardhur nga Greqia ‘shpëtoi’ Sazanin nga flakët vetëm në disa orë. Pse s’u përdorën helikopterët ‘Cougar’

U dogj për 4 ditë, avioni i ardhur nga Greqia
Avioni i ardhur nga Greqia

Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit pas 4 ditësh nën pushtetin e flakëve.   

Vetëm sot, në orët e para të mëngjesit Greqia i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë për shuarjen e flakëve në ishull, duke ndërhyrë më në fund nga ajri.

Pas disa orësh ndërhyrje, situata është nën kontroll thotë ministria në njoftimin zyrtar.

“Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri. 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian”, bëri me dije këtë pasdite ministria e Mbrojtjes.

Më herët, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se Greqia ka sjellë një avion tip Canadair CL 415 për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit nga ajri, pasi sipas tij ishin ekspertët ata që vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri.

“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri me sasi te madhe uji, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, shkroi dje në rrjetet sociale ministri.

U dogj për 4 ditë, avioni i ardhur nga Greqia

Mangësia që nxori në pah zjarri në Sazan

Në terren, dhjetëra ushtarakë, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe Agjencisë së Bregdetit u përballën me flakët të pajisur me lopata dhe fikëse zjarri dore, ndërsa aksioni vështirësohej nga shpërthimi i vazhdueshëm i municioneve, por sërish flakët vetëm sa vinin e përpinin gjithçka që u dilte para.

Emergjenca e shkaktuar nga zjarri në ishullin e Sazanit e ktheu sërish vëmendjen te mungesa e flotës së helikopterëve “Cougar”.

Opozita u ndal konkretisht në këtë problematikë. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një postim dje në Facebook bënte me dije se nga 4 helikopterë “Cougar” që ka Shqipëria, asnjë nuk është funksional.

Sipas saj, 2 janë në Poloni, në servis, një tjetër ka dy vjet në Itali, pasi ka bërë ulje të detyrueshme në kthim nga Franca, ndërsa i katërti është në Farkë, sapo është kthyer nga servisi në Zvicër, por nuk fluturon se ka rrjedhje vaji.

Pavarësisht, se Shqipëria disponon në statistika helikopterë “Cougar”, në raste emergjencash nuk u vunë në përdorim.

Nga zjarri, me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar në Sazan, ndërsa gjatë këtyre ditëve ka pasur raportime edhe për shpërthime të municioneve pasi ishulli vite më parë ka qenë bazë ushtarake.

Të fundit