Flash News

E-TJERA

Abuzim me tenderat, SPAK pezullon nga detyra prefektin e Kukësit

Abuzim me tenderat, SPAK pezullon nga detyra prefektin e Kukësit

Granit Gjana është pezulluar nga posti i prefektit të Kukësit. Prokuroria e Posaçme njofton se Gjana në kohën kur ka qenë zv.kryetar i Bashkisë Kukës, ka konsumuar veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera”.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për hetimin e tenderit për tregtimin e lëndëve djegëse. Në garën e shpallur për tenderat, Gjana ka penguar asokohe kompaninë “U. C.” Shpk të kualifikohet në tenderin me vlerë 21.000.0000 lekë.

“Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, njofton SPAK.

Gjana u emërua si prefekt i Kukësit, pas largimit të Albet Halilajt, pasi ky i fundit garoi në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak, të cilat u mbajtën pas shkarkimit dhe arrestimit të Safet Gjicit.

Të fundit