Flash News

E-TJERA

Akuzat e Aleancës për Teatrin ndaj Soreca-s/ Reagon Delegacioni i BE, konfirmon takimin me Vitore Tushën

Akuzat e Aleancës për Teatrin ndaj Soreca-s/ Reagon Delegacioni i BE,

Delegacioni i BE-së në Shqipëri e ka cilësuar si një deklaratë të bazuar në shpifje akuzat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit se ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, ditën kur do të zhvillohej seanca për Teatrin Kombëtar, ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha për të lobuar në favor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe më pas ka dalë nga dera e pasme.

Përmes një reagimi për mediat, Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon takimin e diplomatiti europian atë ditë me kryetaren e Kushtetueses, por hedh poshtë akuzat se ai ka lobuar në favor të Veliat.

Delegacioni i BE-së thekson se takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe se nuk ka patur asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.

Reagimi i plotë:

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.

Të fundit