Flash News

E-TJERA

Alfred Moisiu rrëfen takimin me Bajram Begajn, çfarë diskutoi me Presidentin e ri?

Alfred Moisiu rrëfen takimin me Bajram Begajn, çfarë diskutoi

Bajram Begaj ka zhvilluar sot një takim në cilësinë e Presidentit të ri të vendit me Alfred Moisiun, ish-Presidenti i Shqipërisë. Moisiu është i pari ish-zyrtar që Begaj takon pasi mori detyrën e kreut të ri të shtetit.

Moisiu ka dhënë detaje nga takimi me Begajn lidhur me asaj se çfarë është folur dhe diskutuar mes tyre. Për Abc News, ish-Presidenti tregoi përshtypjet e tij për Begajn dhe bindjen se sa do të ndikohet Presidenti i ri nga përplasjet e politikës.  

“Unë mendoj se z. Begaj do të jetë një President i mirë, për vetë faktin jo vetëm se bisedova me të dhe pashë mendimet e tij, integritetin e tij. Sepse ka shumë rëndësi integriteti i Presidentit të Republikës aq më tepër në kushtet e politikës shqiptare, pasi këtu “të rrëmbejnë” për t’i zgjidhur problemet si i do njëri apo tjetri. Madje disa herë edhe në shkelje të kushtetutës, edhe mbi ligjin. Por z. Begaj mu duk shumë pozitiv dhe krijova një bindje që ky zotëri do ta kryej këtë detyrë ashtu siç duhet në interes të popullit dhe të gjithë Shqipërisë”, tha Moisiu.

Ish-presidenti tha se ishte optimist për Begajn teksa tregoi edhe bisedën që zhvilluan për përvojën e Moisiut si President i vendit në vitet 2002-2007.

“Po unë jam optimist se vërtetë do të jetë një president i mirë. Do ta mbroj kushtetutën. Tani unë këshillë nuk i dhashë por i fola për përvojën time. I dhurova edhe librin që kam bërë “Midis Nanos e Berishës” për përshkruar gjithë periudhën e Presidencës time. Me problemet politike e negative. Përplasjet që kam pasur dhe kështu me radhë”, u shpreh Moisiu.

I pyetur për çështjen e detit me Greqinë, që tashmë do të jetë në dorën e Bajram Begajt si President, Moisiu tha se Presidenti i ri kishte të qarta synimet e detyrës së tij.

“Për këtë problematikë në radhë të parë duhet të ketë një sens patriotik. Ky sens patriotik, zotit Begaj jo vetëm që nuk i mungon por e ka me shumicë. E dyta, duhet të ketë një integritet për të ruajtur interesat e kombit dhe popullit tonë. Zakonisht njerëzit që hyjnë në pazare nuk i vënë re këto gjëra. Ndërsa z. Begaj mu duk njeri me integritet dhe që ka synime të qarta në detyrën e tij”, përfundoi Moisiu.

Të fundit