Flash News

E-TJERA

Autobusi i Unazës bie në Lanë, policia: U lënduan 5 persona; Veliaj: Zoti na ndihmoi të mos kishim një tragjedi

Autobusi i Unazës bie në Lanë, policia: U lënduan 5 persona;

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar nga vendi i ngjarjes aksidentin e ndodhur mbrëmjen e sotme pranë kinema ‘Agimi’ në Tiranë ku një autobus i linjës së Unazës ra në Lanë, bashkë me një automjet teksa u përfshinë në një aksident.  

Në një prononcim për mediat, Veliaj thotë se asnjë njeri nuk është dëmtuar rëndë.

"Asnjë njeri i dëmtuar rëndë, drama njerëzore përfundoi këtu, t'i lëmë punën policisë, të lëmë profesionistët e policisë dhe zjarrfikësit dhe inxhinierët që do të zhvendosen nga Lana. Për sa kohë jeta e njeriut është jashtë rrezikut, do i gjejmë një mënyrë me vinc ose jo për t'i nxjerrë nga Lana. Zoti na ndihmoi të mos kishim një tragjedi në Tiranë", tha Veliaj.

Nga ana tjetër, kreu i  Policisë rrugore të Tiranës, Taulant Gjoka tha se 5 persona kanë mbetur të lënduar lehtë dhe po punohet për të mësuar shkaqet e aksidentit.

"Është një aksident rrugor që në pamje të parë duket i rrezikshëm, 5 të dëmtuar lehtë, faza e parë e ndihmës së shpejtë ka qenë në kohë reale, po shqyrtojmë pistat e hetimit, nëse jemi përballë një defekti apo një gabimi njerëzor", tha kreu i  Policisë rrugore të Tiranës, Taulant Gjoka.

Njoftimi i policisë:

Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën dy pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Të fundit