Flash News

Ditari i Opozitës

Basha për arrestimin e Lefter Kokës: Nuk është 'peshku i madh'; çfarë thotë kur pyetet për takimin me ambasadorët

Basha për arrestimin e Lefter Kokës: Nuk është 'peshku

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka. Në një prononcim për gazetarët nga selia blu, Basha tha se Koka nuk është 'peshku i madh'.

Ai shtoi se arrestimi i sotëm vërtetoi se denoncimet e PD kanë qenë të vërteta. Sipas Bashës, në këtë aferë janë të implikuar zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Duke mos dashur ta konsiderojë ditë triumfi, Basha kërkoi që para drejtësisë duhet të dalin 'kokat' e kësaj afere.

"Arrestimi i sotëm është një tjetër provë që fakton drejtësinë e denoncimeve të PD, në 2018 nisi procesin e denoncimeve, përkundër blerjes së heshtjes publike për 400 milionë euro që i janë zhvatur taksapagusve të saj, arrestimi i ministrit të Ramës tregojnë se denoncimet tona kanë qenë të drejta.

Nuk ka qytetar shqiptar që e beson se ky është 'peshku i madh'. Të gjithë e dinë që 17 vendime qeverie nuk i nxirrte dot një ministër, emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere janë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Klodian Mërtiri dhe surrogatëve të tjerë ndaj sado nuk ka veprim të plotë nuk ka drejtësi të plotë.

Nuk mund të themi se sot është një ditë triumfi, është fillimi i një procesi por nuk mund të përfundojë pa dhënë përgjigje se çfarë bëhet me kokat, me kreun e qeverisë, paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës, kjo dëshmon rëndësinë e madhe që ka komisioni hetimor, arsyet e rezistencës që iu bë ngritjes së këtij Komisioni, ne po e bëjmë këtë betejë për interesat e shqiptarëve, por tregohet se duke mos sjellë dokumentin e nevojshëm, fajtorët janë zbuluar", tha Basha.

Ky i fundit u pyet nga gazetarët se për çfarë diskutoi në takimin me ambasadorët e huaj, që u zhvillua paraditen e sotme në selinë blu. Pa dhënë detaje, Basha tha se "Takimi i sotëm me ambasadorët ishte për të djeshmen për të sotmen dhe për të ardhmen".

 

 

Të fundit