Flash News

E-TJERA

Raporti i DASH, Burimi: Shqipëria, portë e drogës dhe parajsë për pastrimin e parave

Raporti i DASH, Burimi: Shqipëria, portë e drogës dhe

Analisti Genc Burimi, komentoi raportin e DASH për Shqipërinë, duke e cilësuar vendin si një nga bastionet më të mëdha të pastrimit të parave në Europë dhe një hallkë kyçe në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Burimi tha në Syri Tv se pastrimi i parave është realitet i përditshëm dhe tashmë i pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa ekonomia shqiptare është e kapur nga paraja e pisët. 

Burimi denoncoi heshtjen e Europës, ndërkohë që Shqipëria, sipas tij, i ka shitur komunitetit ndërkombëtar një fasadë legjislative.

"Është mjaft të bësh një kërkim të vogël në rrjet për Shqipërinë dhe sheh se sa i pranuar botërisht është fakti që, prej shumë kohësh, Shqipëria është kthyer në një bastion të pastrimit të parave të pista, kryesisht nga droga.

Sot, kryesisht në tregun botëror, droga prodhohet në shumicë në Kolumbi dhe Bolivi. Janë rreth 4,000 ton drogë që prodhohen në vit, dhe një e katërta e kësaj sasie vjen në Europë. Kjo drogë nuk shpërndahet nga ata që e prodhojnë, por i jepet një grupi tjetër. Numri një sot është një grup brazilian që kontrollon rreth 89% të shpërndarjes globale të drogës.

Ky grup kishte në Europë si partner ’Ndrangheta-n, por tashmë ka edhe shqiptarët, të cilët presin drogën në portet kryesore europiane. Dihet botërisht që shqiptarët janë të përfshirë në ekonominë e transportit të drogës dhe në ekonominë e pastrimit të parave në vend. Nuk kemi nevojë për një raport të DASH. DASH vetë paguhet nga taksapaguesit amerikanë, dhe presioni vjen prej tyre nga Dhoma Tregtare Amerikane në Shqipëri, e cila po sheh se nuk po mundet më të përballet me këtë realitet.

Si mund të investosh në Shqipëri, kur ke përballë një ekonomi të pandershme dhe njerëz që sjellin miliona në sistem? Ajo që më habit mua është heshtja e Europës.

Këtu duhet vënë theksi: Bota ka një organizatë botërore me seli në Paris, që merret me luftën kundër pastrimit të parave. Vetë Franca ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të kufizuar pastrimin e parave. E megjithatë, GAFI e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve që pastrojnë para.

Shqipëria, në pamje të jashtme, u thotë vendeve të huaja se ka legjislacion të mjaftueshëm, por realisht i mungon vullneti politik dhe juridik. Këtu duhet të përqendrohet presioni. Vetë kryetari i SPAK, në Parlament, nuk ka ngritur asnjëherë alarmin.

Sipas meje, sot Europa duket e lehtësuar pas fitores së forcave pro-europiane në Moldavi – një vend që është po aq i korruptuar. Por problemi nuk është Parlamenti, është drejtësia. Shqiptarët, një pjesë e mirë e tyre, po paguajnë për një drejtësi të pavarur. Dhe kjo drejtësi, ose ka falimentuar, ose duhet zëvendësuar menjëherë me një Task Force të re.

Ky vend po shkon drejt katastrofës", tha ai.

Të fundit